Tetovë, Afrim Gashi u zgjodh kryetar i partisë Lëvizja BESA, ja çfarë tha ai (VIDEO)

Afrim Gashi u zgjodh kryetar i partisë Lëvizja BESA në Kongresin që sot e mbajti në Tetovë një pjesë e madhe e kësaj partie. Ai u zgjodh me 524 vota për, 12 vota kundër dhe 8 të përmbajtur. Njëkohësisht u zgjodh edhe Këshilli Qendror me 107 anëtarë mes të cilëve do të zgjidhjen dhe anëtarët e Kryesisë Qendrore, njofton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, Gashi shpalosi pikat e programit politik që janë katër shtylla programore dhe atë: zhvillimi, integrimi, ri-definimi dhe shteti i së drejtës.

“Jemi shumë të interesuar të eliminohen të gjitha pengesat për integrimin e vendit në NATO dhe Bashkimit Evropian si që është çështja e emrit të vendit. Jemi të gatshëm të ndihmojmë duke ofruar ndihmë politike dhe ideore për zhbllokimin e këtij procesi. Për ne nuk është aspak kontestues emri dhe gjuha e etnisë maqedonase, ne duam që identiteti i ardhëm i vendit të jetë inkluziv dhe në të, të përfaqësohemi edhe ne që nuk jemi maqedonas por që jetojmë në Maqedoni.” tha mes tjerash Gashi, njofton Portalb.mk.

Ai tha se përposh bashkëpunimit me Amerikën, BESA është e interesuar edhe për bashkëpunim rajonal me Kroacinë dhe Turqinë.

Gashi gjithashtu përsëriti kërkesën e partisë për ri-definim të shtetit duke thënë se kështu do të hapet perspektiva zhvillimore e vendit që të gjithë të fitojnë.

“Një shtet pa drejtësi nuk është shtet demokratik. Vendosja e drejtësisë është një akt më i lartë patriotik andaj duhet të rivendosim shtetin e së drejtës që ndihmon zhvillimin, integrimin dhe ri-definimin. Do të jemi militantë të paepur të drejtësisë dhe në këtë pikë nuk do të bëjmë kurrë kompromis” tha mes tjerash Gashi, njofton Portalb.mk.

Ai tha se do të fokusohen në trajnime të anëtarëve të partisë që të bëhet parti më e përgjegjshme dhe llogaridhënëse që mos të uzurpohet nga individë të ndyshëm. Ai premtoi se do të bashkëpunojnë me gjitha partitë politike në vend si maqedonase ashtu edhe shqiptare.  Ai theksoi se partia që e udhëheq ai “nuk do të jetë vetëm parti shqiptare por e gjithëve”.

Ai në fund tha se do të bashkëpunojnë me mediat dhe do të jenë transparentë.

 

11.30- Fjalimi i Nexhbedin Karemanit.
Lideri i përkohshëm i partisë, Nexhbedin Karemani tha se ambiciet e Bilall Kasamit të udhëheqë partinë edhe pas Kongresit kanë nxitur përçarje në Lëvizjen Besa, njofton Portalb.mk.

“Ai publikisht kërkonte të zgjidhet kryetar pa asnjë kundër-kandidat, më pas ai shkarkoi dhe sekretarët e partisë. Prandaj anëtarët e Këshillit Qendror, shumica prej 64 anëtarëve në një mbledhje në Shkup e shkarkuan atë për shkak të shkeljeve të statutit dhe mos-dhënies të llogarisë. Pasi u shterën të gjitha mundësitë për kongres të përbashkët, ne sot e organizojmë këtë Kongres” tha Karemani.

Ai theksoi se Lëvizja Besa deri më tani sipas tij, e ka përmbushur detyrën e saj në skenën politike duke i thënë impuls të ri, ka ndihmuar seriozisht në ndërtimin e pushtetit si dhe ka dhënë kontributin për reformat në vend për shkak të demokratizimit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës si dhe integrimin në NATO dhe BE.

“Përveç avantazheve, ka qenë lidershipi i dobët por edhe organizata jo shumë homogjene që në disa raste ka krijuar mundësinë për plasaritje dhe probleme që kulminuar në ngjarjet e fundit. Por kjo merr fund sot dhe ky është një fillim i ri me kryetrarin e ri të Lëvizjes Besa.” tha Karemani, njofton Portalb.mk.

11.00- Kanë filluar punimet për kongresin si dhe u miratua rendi i ditës. Të pranishëm janë 544 delegatë. Nga partitë tjera prezent janë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët, Elmi Aziri.

Në Pallatin e Kulturës në Tetovë, krahu Nexhbedin Karemanit të opozitares Lëvizja BESA, sot mban kongresin e parë të partisë, ku pritet të zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Këshillit Qendror, njofton Portalb.mk.

Edhe pse nëpër media lakohet emri i Afrim Gashit, për kryetar të ardhshëm të Lëvizjes BESA, ky i fundit për Portalb.mk, as nuk e mohon, por as nuk e pranon se nesër do të dorëzojë kandidaturë.

“Ende nuk ka asnjë kandidat për kryetar, pasi që kandidaturat shpallen dhe ofrohen gjatë punimeve të Kongresit”, thotë për Portalb.mk, Gashi.

Zëdhënësi Orhan Murtezani, për Portalb.mk, thotë se Gjithçka është gati me përgatitjet e Kongresit, ndërkaq edhe ai nuk zbuloi asgjë në lidhje me se cilat emra përmenden për kryetar të ardhshëm.

“Gjithçka është gati dhe në rregull për Kongresin. Konform Statutit të BESËS nesër dorëzohen kandidaturat. Tani për tani nuk mundem asgjë të them rreth emrave të përfolur nëpër media. Çdo anëtar i Lëvizjes BESA ka të drejtë të kandidojë për kryetar, andaj nesër do të mësohet se kush do të jetë kryetar i Lëvizjes BESA dhe anëtarë të Këshillit Qendror”, thotë Murtezani.

Për atë se çfarë pritet pas këtij Kongresi, Murtezani thotë se, tani për tani “nuk mundet të thotë asgjë pasi që ajo do të varet nga kryetari i ri dhe Këshilli i ri Qendror”.

Nga ana tjetër, Kongres të partisë ka paralajmëruar edhe krahu i Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA, i cili pritet që të mbahet në Shkup më 24 shkurt.

No automatic alt text available.reman

Dy kongrese paralele vijnë pasi Lëvizja BESA është ndarë në dy grupe, njëri grup që është “kundër” që Kasami të jetë kryetar i partisë deri në mbajtjen e kongresit partiak në shkurt, që njihet si BESA e “Karemanit” dhe grupi tjetër, që është “për” që Kasamin të mbetet lideri i partisë deri në mbajtjen e kongresit partiak që njihet si BESA e “Kasamit”.

Grupi i “Karemanit” e shkarkoi nga posti i kryetarit Bilall Kasamin dhe në vend të tij, si ushtrues detyre të kryetarit të partisë e vendosi deputetin e kësaj partie, Nexhbedin Karemani.

Para 10 ditëve BESA e “Kasamit” e publikoi vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 2 në të cilën thuhej se refuzohet ankesa për të bërë lider të përkohshëm partie, Nexhbedin Karemanin.

Pas kësaj reaguan nga BESA e “Karemanit” duke thënë se kontesti për të fituar legalitetin e lëvizjes nuk ka përfunduar dhe se do të zgjidhet pas Kongresit të Lëvizjes Besa.

Kjo parti hapi edhe seli të reja, njëra u hap në Tetovë nga grupi i “Karemanit” dhe tjetra në Shkup nga grupi i “Kasamit”.

Përçarjet në BESA ndikuan edhe në grupin parlamentar të kësaj partie, fraksioni Gashi ka dy deputetë, ndërsa fraksioni Kasami ka tre deputetë. Megjithatë, të dy grupet në opinion thonë se veprimtaria e tyre në Kuvend do të jetë e përbashkët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button