Xhaferi-Radev: Bullgaria do t’i ofrojë përkrahje të plotë Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE

Nënshkrimi dhe ratifikimi i Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim në frymën evropiane, pa dyshim se hap mundësi të reja në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, por gjithashtu, është i pakontestueshëm përcaktimi i fortë i Republikës së Bullgarisë të ofrojë përkrahje të plotë për Republikën e Maqedonisë për aderim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Këtë në takimin e sotëm e theksuan kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe Presidentin e Republikës së Bullgarisë,  Rumen Radev, i cili qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë.

Xhaferi, siç citoi pres shërbimi i Kuvendit, theksoi se veçanërisht i gëzohet përkrahjes së Republikës së Bullgarisë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE.

“Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në këto organizata edhe më tutje mbetet prioritet shtetëror kulmor, politik dhe strategjik. Për rrumbullakimin e suksesshëm të këtyre proceseve, Republika e Bullgarisë dhe institucionet e saj mund të japin kontribut të rëndësishëm me përvojën e tyre personale për realizimin e këtyre qëllimeve. Kreu shtetëror aktual i Republikës së Maqedonisë bën përpjekje për ti përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët edhe nëpërmjet hapave konkrete, siç është nënshkrimi i Marrëveshjes me Bullgarinë dhe me tejkalimin e çështjeve të hapura me Republikën e Greqisë, pret që të fitojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa në samitin e NATO-s në korrik të këtij viti, më në fund do të konfirmohet ftesa nga Bukureshti prej vitit 2008 që vendi të bëhet anëtar i Aleancës”, theksoi Xhaferi.

Presidenti Radev shprehu kënaqësi nga takimi i sotëm dhe veçanërisht e përshëndeti ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, si akt i rëndësishëm politik dhe i sjelljes shtetërore dhe theksoi se përkrahja e aktiviteteve të zbatimit të saj duhet të shënojë vazhdimësi edhe në të ardhmen.

“Marrëveshja hap dimensione të reja për perspektivën euroatlantike të vendit dhe në këtë kontekst, me rëndësi të veçantë është vazhdimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, më konkretisht nëpërmjet grupeve të bashkëpunimit dhe nëpërmjet komisioneve parlamentare për çështje evropiane, politikë të jashtme dhe mbrojtje”, theksoi Radev.

President i Bullgarisë Radev nënvizoi se me rëndësi thelbësore është bashkëpunimi ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe konsensusi rreth çështjeve strategjike për shtetin, siç është anëtarësimi në NATO dhe në BE, duke e sugjeruar shembullin e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, i cili dha mbështetje të plotë për Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë.

Në takim, të pranishëm nga ana bullgare ishin  Kristijan Vigenin, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane dhe Kontrollin e Fondeve Evropiane, Boris Borisov, kryetar i Grupit për miqësi Bullgari – Maqedoni, si edhe deputetët e Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Bullgarisë, Frosina Tashevska – Remenski, Ilija Nikollovski dhe Rexhail Ismaili, anëtarë të Grupit.

Deputetët e të dy parlamenteve sugjeruan për dinamizimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët dhe theksuan se me aktivitete konkrete në këtë moment historik, do të japin kontribut dhe përkrahje në përpjekjet e përbashkëta për avancimin e bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve dhe popujve dhe mbështetjen e reformave në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në integrimet euroatlantike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button