FADIL SULEJMANI – PROMETE I ARSIMIT SHQIP

Historia njeh shumë njerëz që kanë bërë dhe bëjnë vepra të mëdha, po janë të rrallë ata që u vënë vulë kohërave me vepra të pavdekshme të rëndësisë së veçatë, si  ajo e Profesor Fadil Sulejmanit – Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, personalitetit që me aktin e themelimit të këtij tempulli kurorëzoi idealet shekullore dhe e bëri realitet ëndrrën e mijëra pishtarëve të arsimit që ikën syçelë nga kjo botë, pa pasur fatin t’u gëzohen fryteve të punës së tyre.

Profesor Fadil Sulejmani lindi më 5 dhjetor të vitit 1940 në Bozofcë, ku kreu filloren, për të vazhduar më pas shkollimin dhe studimet në Tetovë, Prizren, Prishtinë, Beograd, Itali e Gjermani, përherë i dalluar, përherë ndër studentët më të vyeshëm. I tillë qe edhe në studimet dhe specializimet e kryera në qendrat e rëndësishme univesitare vendore dhe evropiane.

Gjatë kohës kur punonte si profesor në Universitetin e Prishtinës tetovarët krenoheshin me Fadil Sulejmanin. Emri i tij përmendej gjithnjë në kontekste pozitive, sepse Profesori e meritonte këtë respekt.

Në vitin 1990, kur Kosova iu nënshtrua shtazërisë serbe dhe kur shqiptarët përballeshin me rrezikun e zhbërjes fizike, Fadil Sulejmani u kthye në Tetovën e tij, jo për të vajtuar fatkeqësitë e reja të kombit, po për t’ia mësuar atij (kombit) vlerën e lirisë.

Ardhja e tij u ndie siç ndihet erupcioni i një vullkani. Populli i frikësuar gjatë gjithë dekadës paraprake u ngjall dhe u trimërua. Kishte dhe arsye, sepse Fadil Sulejmani ishte i gjallë dhe trim, fjalëpakë dhe vepërmadh.

Më 1990 ai organizoi Konferencën shkencore me temë “Shqiptarët e Maqedonisë”, ku emra historianësh eminentë, shpërfaqën për herë të parë të vërtetën e nëpërkëmbur të një etnie të lashtë dhe autoktone, të vërtetën e shqiptarëve të këtyre anëve. Një vit më vonë, bashkë më intelektualë e veprimtarë të shquar, themeloi Bashkësinë Kulturore Shqiptare, në gjirin e së cilës lindën dhe u realizuan një sërë iniciativash, ndër të cilat bënte pjesë dhe akcioni i pajtimit të gjaqeve dhe nisma për themelimin e UT e vitit 1994.

Në udhën e tij për ta bërë Universitetin, Fadil Sulejmani nuk i besoi askujt përveç popullit. Pa këtë vendosmëri monumentale, sigurisht që projekti madhor për një Universitet shqiptar do të rezultonte i dështuar. Në këtë udhë ai iu shmang të gjitha ideologjive, që shpesh prihen nga filozofi kompromisesh. Për shkak të kësaj vendosmërie përjetoi dhe shumë pelime, dhembje, vuajtje…, por, fatmirësisht, iku i qetë nga kjo botë, duke lënë pas vetes monumentin garantues të një të ardhmeje.

Për mua, Fadil Sulejmani qe Prometeu që ia dha popullit zjarrin e shpirtit dhe dritën e mendjes – jo një zjarr dosido po një zjarr amanet të përjetshëm në shërbim të etnisë së nëpërkëmbur ndër shtjellat e pamëshirshme historike, një zjarr të vënë në shërbim të arsimit dhe edukimit, shkencës dhe kultrurës, në shërbim të ruajtjes së substancës etnike që, për paradoks, vazhdon të grimcohet nga minjtë e tebdilosur në shqiptarë – nga mashat e rreshtuara qorras n’taboret e dreqit.

Sot kur festojmë 23 vjetorin e ligjëratave të para të mbajtura në Universitetin e Tetovës, nën kërcenimin e armëve të një pushteti thelbësisht antishqiptar e kuptojmë mirëfilli betejën prometeane të Profesor Fadil Sulejmanit, të fituar me laps dhe me fletore.

Jo rastësisht Universiteti i Tetovës, kjo vatër e parë e arsimit shqip në këto troje është lidhur përjetësisht me emrin e Tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button