Jugohromi me ndalesë për punë, sindikata kërkon nisjen me punë në prill pa vendosje të filtrave

Inspektorati i ambientit jetësor në kuadër të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka kryer vizitë në fabrikën e Jugohromit në fund të janarit dhe ia ka vazhduar ndalesën për punë kësaj fabrike edhe për 90 ditë të tjera. Për Portalb.mk nga inspektorati thonë se kanë konstatuar se po punohet në vendosjen e filtrave por jo mjaftueshëm, kushti që patjetër duhet ta plotësojë kjo fabrikë për të ri-nisur punën sepse pa filtra ndot ajrin në gjithë Pollogun.

“Nga vizita e inspektoratit në fabrikë është konstatuar se vendosja e filtrave nuk është përfunduar dhe në bazë të asaj që është parë në terren ia kemi vazhduar ndalesën për punë edhe për tre muajt e ardhshëm, deri në prill. Kemi vërtetuar përparime në punët në këtë kombinat, janë bërë pagesat e nevojshme për vendosen e filtrave por ende ngelet të shihet se deri ku do të shkojnë punët deri në afatin ndalesës” thotë për Portalb.mk, Hisni Thaçi, inspektor ekologjik në Ministrinë e Ekologjisë.

Nga ana tjetër, nga përfaqësuesit e sindikatës së Jugohromit kërkojnë me ngulm që ndalesa deri në prill të jetë e fundit ndalesë e dhënë sepse sipas tyre, në prill “nuk ka ndotje të madhe të ajrit” ndërsa shumë punëtorë janë lënë pa punë.

“Jugohrom ka angazhuar kompaninë Fa-Kom nga Shkupi për vendosjen e filtrave dhe në llogari të kësaj kompanie ka depozituar një shumë prej 800 mijë eurove. Me gjasë i tërë procesi do të mbarojë në gusht, por ne dëshirojmë të fillojmë me punë më herët, pra në prill sepse mendojmë që niveli i ndotjes së ajrit është më i ulur. Besojmë që atëherë do të kemi mirëkuptim nga Qeveria dhe OJQ-të që 700 të punësuarit të kthehen në vendin e punës” shprehet për Portalb.mk, Bajram Amiti, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të fabrikës Jugohrom.

Më 22 tetor 2017 u bë nënshkrimi i memorandumit për mirëkuptim për rihapjen e ndërmarrjes Jugohrom në rajonin e Pollogut i cili parasheh që secila palë e përfshirë në problemin e punës së kësaj ndërmarrje pa standarde ekologjike duhet të përfundojë obligimin e vet dhe parasheh ndërtim të sistemit të filtrave dhe rihapjen e tij pasi të vendosen filtrat.

Memorandumi u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Ekonomisë, Koço Angjushev, pronari i ndërmarrjes Jugohrom, Vasko Skenderovski dhe kryetarit të sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje, Bajram Amiti, shkruan Portalb.mk.

Problemi me ndërmarrjen Jugohrom erdhi pasi që kjo fabrikë nuk ka punuar me standarde ekologjike e cila solli deri te ndotja enorme e ajrit në rajonin e Pollogut. Ndotja e ajrit Tetovën e rangoi ndër qytetet evropiane me ndotjen më të madhe të ajrit. Protestat e sektorit civil nuk ishin të pakta, si pasojë e kësaj Qeveria VMRO-BDI në atë kohë i caktoi afat kohor për vendosjen e filtrave deri më 1 nëntor, si vonesë të kësaj, Jugohromi do të mbyllej.

Por, Jugohrom nuk arriti të respektojë afatin kohor, Qeveria nuk iu zgjati afatin kohor dhe në mesin e nëntorit të 2016-s u mbyll.
Pas mbylljes, rreth 900 punëtor mbetën pa punë, të cilët të organizuar në sindikatë punëtorësh, vazhdimisht kanë protestuar për humbjen e vendit të punës. 
Pas mbylljes së Jugohromit, ish-ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti publikoi raportin e gjendjes së ajrit, raport ky që vërtetoi se Jugohrom ka qenë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Pollogut.

Ndërtimi i filtrave të ndotësit Jugohrom, çfarë fshihet pas fabrikës e cila nuk garanton transparencë?!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button