Pahor: Të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të bëhen pjesë e BE-së

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nder të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor i cili nga dita e djeshme ndodhet në vizitë zyrtare në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë seancë ku i pranishëm ishte dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova në prag të 10 vjetorit të pavarësisë është nderuar me vizitën e presidentit slloven Pahor. Veseli e ftoi Pahor që të marrë fjalën duke thënë se Sllovenia në vazhdimësi ka qenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj historike.

Presidenti Pahor në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit tha se ka ardhur në Kosovë si një mik, si president i një shteti që ka marrëdhënie miqësore me shtetin e Kosovës. Ai duke uruar deputetët me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës tha se vizita e tij në prag të kësaj feste është një shenjë për t’i thelluar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve.

Pahor u shpreh se sllovenët dhe shqiptarët e Kosovës kanë kuptuar dhe ndihmuar njëri tjetrin në rrugëtimin për të arritur pavarësinë e të dyja shteteve me përkushtimin se këto shtete të jenë demokratike, ku mbizotëron sundimi i ligjit dhe drejtësia për qëytetarët e tyre.

Ai tha se sllovenët dhe shqiptarët e Kosovës si shumicë, si dy shtete sovrane duhet të zhvillojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut duke i respektuar të drejtat e minoriteteve.

Duke nënvizuar se ka ardhur në Kosovë si një mik i shqiptarëve të Kosovës dhe i serbëve dhe si një mik i të gjitha kombësive të tjera që sot jetojnë në Kosovë, Pahor tha: “Po ia jap vetës lirinë që të vlerësoj që nga aspekti i politikës së brendshme dhe të jashtme është tejet e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës që ti ruaj dhe ti mbrojë të drejtat ligjore dhe ti fuqizojë këto të drejta të cilat u takojnë komuniteteve jo shumicë”.

Pahor i cili përmendi edhe problemet e Sllovenisë me fqinjët e saj theksoi se ky shtet është ende në rrugën për t’i përmirësuar ato. Ai tha se mbështet përpjekjet e Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar që në mënyrë graduale t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura përmes negociatave bilaterale, siç tha ai negociata këto që mbështeten nga BE-ja.

“Përsëri po i jap vetes lirinë që të mundohem t’iu bind që të vazhoni të punoni intensivisht në këto negociata bilaterale dhe t’i respektoni marrëveshjet në tërësi. Kjo është tejet e rëndësishme jo vetëm për zgjidhjen e problemeve në mes të dy vendeve fqinje siç janë Kosova dhe Serbia por gjithashtu edhe për krijimin e një atmosfere të mirë politike në tërë rajonin në mënyrë që të bindet BE-ja që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen pjesë e BE-së”, tha Pahor.

Presidenti slloven tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i implementojnë marrëveshjet të cilat i kanë marrë përsipër duke bërë të ditur se mbështet strategjinë e zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ai në fund potencoi se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen pjesë e BE-së por pasi t’i zgjidhin problemet kufitare duke iu referuar edhe ratifikimit të demarkacionit nga pala kosovare me Malin e Zi.

Kujtojmë se Pahor dje në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Pas takimit në mes dy delegacioneve dhe dy presidentëve, Thaçi dhe Pahor kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media. Presidenti slloven do të pritet edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button