Si u ndanë paratë për artistët shqiptarë?! Ministria e Kulturës luan “ping-pong” me përgjegjësinë

Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë këtë vit solli transparencën, por simptomatike mbetet dhënia e përgjegjësisë se si u ndanë paratë e qytetarëve të Maqedonisë tek artistët shqiptarë. Gjatë publikimit të programit vjetor publikisht u pa se kush sa të holla ka kërkuar dhe sa iu janë aprovuar, por në Ministri luhet “ping-pong” kur vjen momenti i sqarimit se si ndodhi që një 12-vjeçari t’i ndahen 600 mijë denarë, një shfaqjeje teatrore 80 mijë denarë, një teatri 5 milionë denarë e një festivali ndërkombëtar t’i ndahen 1 milion denarë. Komisioni thotë se vendimin përfundimtar e ka dhënë ministri, e nga ky i fundit thonë se ministri vetëm nënshkruan vendimet e Komisioneve.

Edhe pse Portalb.mk insistoi disa herë të marrë sqarim se: “A është ndryshuar diçka nga momenti i parashtrimit të vendimit të Komisonit deri te nënshkrimi i ministrit Robert Allagjozovski?”, kjo sërish nuk u arrit, sepse nga Ministria e Kulturës disa herë dhanë të njëjtën përgjigje: “Komisioni e sjellë vendimin, ministri e nënshkruan”.

Rasti është me djalin 12-vjeçar nga Tetova, Vigan Maksuti i cili nga Ministria e Kulturës ka arritur të sigurojë financa për dy projekte, njëri është për “koncert solistik” dhe tjetrit është për “publikimin e CD diskut”, që të dy projektet do të financohen në vlerë prej 300 mijë denarë, duke i siguruar të miturit 600 mijë denarë. Nga Ministria e Kulturës në lidhje me “300 mijë denarët e CD diskut thanë” se : “Sa i përket rritjes së shumës, është një gabim teknik në shumën e shpallur të fondeve të kërkuara dhe të aprovuara. Bëhet fjalë për shumë më të vogël, ajo do të korrigjohet pasi Komisioni të ketë rishikuar aplikacionin. Shuma do të korrigjohet dhe rishpallet në tabelën e fituesve”.

Qamil Rufati:  Ku është ndarja e drejtë dhe e mirëfilltë ndaj botuesve dhe autorëve të mirëfilltë në këtë lloj ndarjesh të padrejtë nga Ministria?

Qamil Rufati
Qamil Rufati

“Shtëpia botuese VOKA 4 e themeluar në vitin 1993 është një ndër shtëpitë e para më prestigjioze e letërsisë për fëmijë në Maqedoni. Nga rezultatet e shpallura Shtëpia botuese VOKA 4 ka konkuruar me 10 libra dhe 3 revista mujore për fëmijë, ndërkaq nga kjo Ministri u përkrahën 3 libra me shuma qesharake me 50 dhe 60 mijë denarë dhe 3 revista nga 6 numra me nga 12 dhe 15 mijë denarë për numër. Si shtëpi botuese e shohim si të paarsyeshme këtë ndarje nënçmuese dhe tendencioze nga Komisioni për botime. Vetë fakti që revistat tona deri më tani kanë arritur tirazhin prej 2 milionë, tregon faktin që ne jemi kampion të letërsisë për fëmijë në Maqedoni. E kjo, nënkupton që pakënaqësia jonë ndaj kësaj ndarje të padrejtë dhe tendencioze është në dëm të letërsisë për fëmijë dhe letërsisë shqiptare në përgjithësi. Duke pasur parasysh që prioritet i Ministrisë gjithmonë ka qenë përkrahja finaciare botuesve dhe autorëve të dëshmuar, në ndarjen e shumtë të veprave të kaluara sivjet, mendojmë që është bërë një mospërfillje totale pikërisht ndaj botuesve dhe autorëve të mirëfilltë. Janë të përkahura libra me shumë nga 150, 200 dhe 250 mijë denarë që ndoshta nuk kanë lidhje me letërsinë, ndërkaq maja e letërsisë për fëmijë Agim Deva përkrahet me një shumë qesharake me 50 mijë denarë. Ku është ndarja e drejtë dhe e mirëfilltë ndaj botuesve dhe autorëve të mirëfilltë në këtë lloj ndarjesh të padrejtë nga Ministria?!”,de ka reaguar drejtori i Shtëpisë botuese VOKA -4, Tetovë, Qamil Rufati.

Komisioni përgjegjës, rasti është me atë të artit dramatik thotë se vendimet për miratimin e financave janë marrë nga ministri e kurse nga kabineti i Allagjozovskit për Portalb.mk thonë se vendimet janë marrë nga komisionet e caktuara.

“Vetë buxheti për veprimtarinë dramatike ka qenë më i vogël për tre milionë denarë nga njëra anë, por ka edhe shumë padrejtësi, nga ana tjetër. Unë jam i vetëdijshëm se për Teatrin Shqiptar 5 milionë denarë janë pak, apo se për “Skupi Festin” është bërë padrejtësi, por vendimet finale i sjellë ministri dhe jo Komisioni”, tha anëtari i Komisionit të artit dramatik, Hamdi Rashidi për gazetën “Koha”.

Nga ana tjetër, këshilltari i ministrit të Kulturës, Petrit Saraçini për Portalb.mk tha se vendimet se cilat projekte duhet të miratohen dhe cilat jo, i sjellë Komisioni. Madje sqaroi se me ligj nuk është e precizuar se sa projekte duhet t’i aprovohen një subjekti fizik a juridik.

Alarmante u bë gjendja kur u pa se prej tre festivaleve të teatrit sa janë financuar, vetëm Festivali ITF ka marrë më së paku financa. ITF vitin e kaluar ka pasur 2,800,000 deanarë ndërsa këtë vit të njëjtit iu janë ndarë 1,000,000 denarë.

“Te të gjitha festivalet teatrore, të cilat janë të shumtë në vend dhe pothuajse të gjithë kanë një karakter ndërkombëtar, ka shkurtime në fonde, në përputhje me gjendjen financiare të Ministrisë dhe Buxhetit. Ne u përpoqëm sa më shumë që ishte e mundur për t’u dalë në dispozicion kërkesave të të gjithëve. Në aspektin e shumës së dhënë, ka një ndryshim në mbështetjen e festivaleve me një traditë të gjatë dhe me rëndësi kombëtare dhe të festivaleve tjera, festivaleve më të reja për të cilat gjithashtu ofrojmë mbështetje. Për shembull, festivali “Çernodrinski” është festivali më i rëndësishëm kombëtar i teatrit në vend që tregon arritjet dhe shfaqjet e teatrove të vendit, ndërsa Skupi Fest është një festival i vizitave të huaja të realizuara. Strategjikisht, ne besojmë se Maqedonia ka një numër të tepërt të festivaleve teatrore, dhe në praktikë është e pamundur për të siguruar mbështetjen e merituar për të gjithë. Në të ardhmen, po mendojmë për zvogëlimin e numrit të tyre sipas nevojave dhe mundësive dhe investime më të mëdha në cilësinë dhe programin e tyre”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Muzbajdin Qamili, ITF Skupi Festival
Muzbajdin Qamili, ITF Skupi Festival

Por, drejtori i “Skupi Festit”, Muzbajdin Qamili thotë se ndarja e parave të qytetarëve të Maqedonisë është bërë në bazë të “inateve meskine”.

“Dëmtimi i ITF Skupifestival nga ana e Ministrisë së Kulturës është i qëllimshëm, politik, etnik dhe i inateve meskine. Anëtari i Komisionit të veprimtarisë dramatike e fakton me së miri këtë”, tha për Portalb.mk, Qamili.

Nga Ministria e Kulturës, janë të bindur se programi vjetor kulturor nuk është bërë në bazë të përzgjedhjes partiake e ideologjike.

“Në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje cekim se në Programin vjetor nuk ka më përzgjedhje partiake ideologjike apo ndonjë përzgjedhje tjetër negative. Programi ofron hapësirë për të gjithë artistët dhe për të gjitha manifestimet që kanë një traditë të gjatë. Parapa vendimeve qëndrojnë komisione konkurruese autonome dhe shpjegimet e tyre për (mos)përmbushjen e kritereve dhe dështimit apo arritjes së cilësisë”, tha këshilltari Saraçini.

Tërë kjo është duke ndodhur derisa në Shqipëri, që arti të jetë cilësor, artistë të shumtë janë duke shprehur publikisht revoltën vetëm se Ministria e Kulturës e Shqipërisë është duke e zhvendosur Teatrin Kombëtar nga objekti vetanak në një tjetër objekt, “Turbinë”. Edhe pas shumë deklaratave se objekti i Teatrit Kombëtar, që duhet t’i nënshtrohet rikonstruimit, do të rikthehet në objektin e tij, artistët këtë duan ta kenë të shkruar në letër, që të binden se Teatri do të jetë aty ku është sot. Jo vetëm kjo, në Shqipëri shprehet pakënaqësi edhe për propozim-ligjin e ri të përpiluar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro. Në lidhje me këtë shumë artistë thonë se do të centralizohen institucionet shtetërore, siç ndodh në Maqedoni me qendrat kulturore në shumë komuna shqiptare, si pasojë e të cilave nuk u siguruan bllok dotacionet e ndërsa të njëjtat do të vazhdojnë të udhëhiqen nga qendra.

Më poshtë ju sjellim edhe fjalimin e artistit Robert Ndrenika në lidhje me problemin me Teatrin Kombëtar në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button