Gruevski për protestat: Të mendohet edhe për ditën më tej

Është e drejtë demokratike dhe e njeriut të protestohet, por secili që të dalë të kujdeset edhe për përgjegjësinë e vet, apeloi kryeministri Nikolla Gruevski pas paralajmërimeve për protesta të reja të premten kundër arrestimeve të të dyshuarve për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë.

Gruevski bëri thirrje për kujdes me qëllim që të mos prishet bashkëjetesa ndëretnike dhe ndërfetare në vend. 

‘Secili ka të drejtë të protestojë. Kjo është e drejta demokratike dhe e njeriut dhe nga ky aspekt unë nuk kam asgjë kundër protestës së nesërme, mirëpo secili që do të protestojë duhet të kujdeset për përgjegjësinë e vet, sepse jeton në një shoqëri demokratike dhe duhet të mbaj kujdes që të mos u nënshtrohet manipulimeve të caktuara ose agjendave të tjera. Maqedonia është shtet shumë etnik, dhe multi konfesional.  Jetojmë bashkë dhe do të vazhdojmë të jetojmë bashkë. Duhet menduar edhe për ditën më pas, kështu që apeloj për secilin nga demonstruesit e nesërm, duke shprehur mendimin e vet për atë se për çfarë ka dalë ai – të kujdeset edhe për përgjegjësinë e vet’ tha Gruevski.

‘Secili ka përgjegjësi personale në shoqërinë tonë, kështu që edhe ata njerëz që do të protestojnë dhe demonstrojnë kanë përgjegjësi personale për veprimet e veta, që ato të jenë të ligjshme dhe të mos e prishin bashkëjetesën dhe jetesën ndëretnike dhe ndërfetare që me shekuj ekziston në këtë vend dhe do të vazhdojë të ekzistojë në të ardhmen’, deklaroi Gruevski, pas paralajmërimeve jofomrale për tubim të ri të premten kundër arrestimeve për vrasjen e pesëfishtë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button