U hap ekspozita “Midis ëndrrës dhe realitetit” për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës (FOTO)

Sot nën patronazhin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Galerinë e Arteve të Ministrisë së Kulturës është hapur ekspozita personale e autores Eliza Hoxha me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ekspozitë me temën “Midis ëndrrës dhe realitetit” e cila tregon rrëfimet e Kosovës si shtet janë të shfaqura gjithsej 19 fotografi ku 15 prej tyre shfaqin protestat e popullit shqiptar në Kosovë për të drejtën e gjuhës, kulturës dhe të vendit të realizuara gjatë viteve të 90-ta. Ndërsa katër fotografitë e tjera shfaqin problemet e pasluftës në Kosovë ku njëra prej tyre është nga ekspozita e mëparshme e autores dedikuar për gratë viktima të dhunës kurse tjetra është fotografia e një bluze të një djaloshi të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Poashtu edhe artistja Eliza Hoxha shihet në dy fotografi në këtë ekspozitë, në njërën si portret i realizuar për dhjetë vjetorin e pavarësisë dhe në tjetrën duke ecur nga “ëndrra në realitet” e cila është përdorur si metaforë në ekspozitë që në prapavijë shihen dy flamujt ai i Kosovës dhe flamuri kombëtar shqiptar.

Autorja e ekspozitës dhe artistja, Eliza Hoxha për AA bëri të ditur se kjo ekspozitë është reflektimi i gjeneratës së saj e cila është shkëputur nga një vend që ka qenë ish-Jugosllavia dhe e ka bërë të qartë qëllimin duke e realizuar ëndrrën që ka qenë “Kosova si shtet i pavarur”. Ajo tha se shteti i Kosovës nuk ka lindur në vitin 2008 duke theksuar se në këtë vit vetëm është zyrtarizuar si shtet por ka patur një proces të gjatë të përpjekjeve të atyre që kanë dhënë jetën ose kanë kontribuar për këtë realitet.

“Ajo pjesë që është me fotografi dokumentuese është pjesa që flet për rrugëtimin e gjatë që sidomos me përpjekjet dhe demonstrimin e pakënaqësive në vitet e 90-ta përderisa kjo pjesë këtu e sjellë atë ndjenjën e të qënit pezull pavarësisht që jemi mëvetësuar si shtet kemi shumë çështje për të cilat duhet të bëjmë më shumë, të cilat janë pikëpyetje, qëndrojnë pezull sepse nuk kanë marrë ende përgjigje dhe nuk janë menduar ose reflektuar në mënyrën e duhur”, tha Hoxha.

Ndërsa, këshilltari i lartë i Presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj i cili mbajti një fjalim tha se në këto dhjetë vite kanë qenë të ngazëllyer me të arriturat e Kosovës. Arifaj i cili foli edhe si anëtar i Këshillit organizativ për shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës tha se në kuadër të kremtimit kanë organzuar ekspozita, konferenca dhe aktivitete të ndryshme të cilat do të tregojnë të arriturat e shtetit të Kosovës, në art, sport por edhe në diplomaci dhe në fusha të tjera.

“Qëllimi është që të tregojmë që për dhjetë vite kemi ecur shumë që pa marrë parasysh sakrificën dhe dëmin që na kanë shkaktuar dhe dhimbjen që na kanë shkaktuar neve megjithatë kemi arritur që të marrim veten dhe të ndërtojmë një shoqëri të bukur, të shëndetshme, me plotë vlera me të cilat vërtetë kemi arsye të krenohemi”, tha Arifaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button