fbpx

OPINION: Askush më shumë se ShBA-të nuk dëshiron të shohin Maqedoninë në NATO

Më 20 maj, presidenti Barack Obama do të mirëpresë homologët e tij nga 27 vende aleate për Samitin e NATO-s në vendin e tij të lindjes Chicago, ku përsëri do të potencojë përkushtimin e plotë dhe të fuqishëm të Amerikës ndaj Aleancës transatlantike.

Në Chicago do të jenë të mirëpritur edhe liderët e 22 vendeve jo anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Maqedoninë, që marrin pjesë në Forcat ndërkombëtare për siguri dhe asistencë (ISAF) në Afganistan. Tre çështjet kryesore që do të shqyrtohen në Samit do të jenë Afganistani, aftësitë mbrojtëse të NATOs, dhe NATO si qendër globale për siguri me partnerët në tërë botën.

Si bazë për këto tre çështje paraqiten tre koncepte: Amerika si gjithmonë mbetet e përkushtuar ndaj Aleancës dhe Evropës; NATO siguron për të gjithë anëtarët e saj nivelin më të lartë të sigurisë; dhe shqyrtimi i sfidave tona të përbashkëta është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë anëtarëve të NATO-s, si dhe e të gjithë vendeve të çmuara partnere, siç është Maqedonia.

NATO mbetet aleanca më efektive në botë, dhe askush nuk dëshiron më tepër se Shtetet e Bashkuara të shohin Maqedoninë si pjesë e NATO-s.

Derisa të ndodh një gjë e tillë, askush nuk është më i gatshëm të ndihmojë Maqedoninë që të ndërmerr hapat e mëtejshëm të nevojshëm për anëtarësim të suksesshëm. Në ndërkohë, NATO ka një program dinamik për partneritetin që zgjerohet e që e bën Aleancën qendër të rrjetit global të sigurisë.

Maqedonia është shembull i shkëlqyer për këtë lloj partneriteti. Në këtë muaj, vendi do të jetë nikoqir i një ushtrimi ushtarak të NATO-s, Lancer/Longbou, që do të zhvillohet në qendrën nacionale për trajnime ushtarake Krivollak. Në ushtrim do të marrin pjesë më tepër se 1000 ushtarë të Aleancës dhe të shteteve tjera partnere, përfshirë ushtarët nga Shtetet e Bashkuara.

Ne përshëndesim deklaratat e presidentit Ivanov, të kryeministrit Gruevski, dhe liderëve të tjerë të Maqedonisë që riafirmojnë përkushtimin e vendit ndaj integrimeve euro-atlantike, siç është paraparë në proceset për anëtarësim dhe qasje drejt NATOs dhe BE-së.

Shtetet e Bashkuara kanë një lidhje të pathyeshme me Evropën, e krijuar përmes vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta. Në Chicago, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të përmirësuar marrëdhëniet e NATO-s me Maqedoninë dhe partnerët tanë të tjerë. Këto përpjekje, do të përforcojnë edhe më tej lidhjen e Aleancës me këta partnerë të aftë, që u japin vlerë shtesë misioneve dhe operacioneve aleate dhe për të cilët lidhja me NATO-n gjithashtu paraqet përforcim të sigurisë.

Njëkohësisht, nuk duhet të harrojmë që partneriteti i shumëfishtë dhe i ngushtë që Shtetet e Bashkuara kanë me Maqedoninë është diçka shumë më tepër sesa vetëm NATO. Si miq të këtij vendi me shumëllojshmëri të pasur, Shtetet e Bashkuara kanë investuar mbi një miliardë dollarë në Maqedoni për krijimin e vendeve të reja të punës, për të reduktuar korrupsionin, për të renovuar shkolla edhe për të përgatitur studentët për tregun e punës.

Kemi sjellë mbi 300 vullnetarë të Korpusit të paqes për të shërbyer në zhvillimin e arsimit dhe të komuniteteve; kemi ndihmuar në trajnimin e profesionistëve në pothuajse çdo sektor dhe kemi dërguar qindra qytetarë të Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara si pjesë e programeve për shkëmbim. Nga ana e saj, Maqedonia, që nga pavarësimi i saj, ka qenë një mik dhe partner i çmuar i Shteteve të Bashkuara dhe do të jetë gjatë kohë edhe pas Samitit në Chicago. Mbi 2.500 ushtarë nga Maqedonia kanë luftuar krah më krah me ushtarët amerikanë në Irak dhe Afganistan.

Ne çmojmë kontributet e Maqedonisë dhe kemi qenë dëshmitarë të profesionalizmit dhe guximit të ushtarëve të Maqedonisë kur mbronin shtabet e ISAF-it, si dhe Ambasadën e SHBA-ve në shtatorin e vitit të kaluar. Unë jam i bindur që partneriteti ynë një ditë gjithashtu do të përfshijë anëtarësinë e përbashkët në NATO. Dera e aleancës mbetet e hapur, dhe NATO pajtohet që Maqedonia ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim dhe do të pranohet si anëtare e plotë pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë.

Marrëdhënia e Amerikës me aleatët tanë të NATO-s është shtyllë e angazhimit tonë me botën dhe përforcon sigurinë në Evropë dhe vlerat tona të përbashkëta. Me padurim presim ditën kur do të mund t’ju dëshirojmë mirëseardhje miqve tanë nga Maqedonia në atë që presidenti Obama e përshkroi si “aleanca më e suksesshme në historinë e njerëzimit.”

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close