Menduh Thaçi: Maqedonia ka hyrë në një situatë të turbullt

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në një intervistë për RTV 21 ka folur për proceset e përgjithshme nëpër të cilat po kalon vendi, si dhe në veçanti për incidentet e fundit ndëretnike.

Ai gjithashtu ka folur edhe për operacionin e koduar me emrin “Monstrumi”, me ç’rast u arrestuan 20 shqiptarë me pretendimin se janë të përfshirë në vrasjen e pesëfishtë e cila ndodhi në Smilkovcë.

“Ne si parti opozitare mundohemi që t’i dalim zot shqiptarëve të Maqedonisë, por ja që kapacitetet tona janë të limituara. Në anën tjetër jemi në një rrezik që aleatët tanë të na vlerësojnë si turbulentë, si ekstremistë. Nuk jam optimist se kjo situatë shpejt do të përmisohet”, ka thënë Menduh Thaci.

Ai i është referuar përvojës së tij politike dhe mundësisë që i është dhënë atij si studentë ta përjetojë kohën e regjimit të Millosheviqit, andaj veprimet e qeverisë së Maqedonisë, sipas tij, aspak nuk ndryshojnë në esencë më ato të diktatorit serb, por në miniaturë janë strategji e njëjtë që po zhvillohet ndaj shqiptarëve.

Sidomos pas këtij rastit të fundit të vrasjes së pesëfishtë, kur qeveria nisi ti etiketojë shqiptarët edhe si turbulente, por edhe si terroristë islamik radikal , janë skenarë që i ka zbatuar Millosheviqi ka thënë ai.

“Kam patur një shpresë minimale se 20 maji mund të jetë dita e kthesës edhe e Maqedonisë, por edhe e shqiptarëve të Maqedonisë, por tashmë i kam informatat e sigurta se Maqedonia as që do të përmendet dhe as që do të jetë në rend dite”, ka shtuar i pari i PDSH – së.

Si arsye se pse Maqedonia ka hyrë në një situatë të tillë të turbullt, Menduh Thaci e ka përmendur faktin se shteti i Maqedonisë është një laborator eksperimental i politikës millosheviqiane.

“Fillimisht sllavët e përdorin metodologjinë e etiketimin, nënçmimin, dhe më pastaj vjen brutaliteti, rrahja e kështu më radhë, për të ardhur deri tek veprimi i aparatit shtetëror që me qëllim shkakton terror tek qytetarët e vet. Për këtë janë shumë fajtor maqedonasit, por janë edhe disa shqiptar që në vitin 2001 e bënë mashtrimin kapital historik duke thënë se erdhën dhe i çliruan shqiptarët e Maqedonisë, e më pastaj u nënshtruan në mënyrë të paparë”, është shprehur Thaçi.

Ai është shfaqur shumë kritik me partinë shqiptare që bashkëqeveris me Nikolla Gruevskin, duke thënë se sllavët nuk kanë pasur ndonjëherë avokatë më të mirë as në kohën e komunizmit se sa këtë klikë, këtë garniturë politike shqiptare në pushtet. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button