NATO zhvilloi në Tiranë konferencën e forcave tokësore

Komandantët e forcave tokësore të vendeve anëtare të NATO-s zhvilluan sot një konferencë në Tiranë për të studiuar projektin e ri të bashkëpunimit mes tyre të titulluar “Smart Defence”. Ky projekt parashikon koordinimin më të mirë të veprimeve të tyre në mbrojtje të paqes dhe parandalimin e sulmeve terroriste. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përshëndeti konferencën e ushtarakëve të NATO-s, duke theksuar angazhimin e plotë të forcave të armatosura shqiptare në operacionet e Aleancës Veri-Atlantike.

“NATO është organizatë e madhe që jep ndihmesë të madhe për të mbrojtur sigurinë në hapësirën e saj. Asnjëherë njerëzimi nuk ka patur më parë mbrojtës më të madh të lirive, të drejtave njerëzore dhe zhvillimit. Kjo aleancë transatlantike është garantuesi më i mirë që bota perëndimore ka patur ndonjëherë” – tha ai.

Zoti Berisha tha se Shqipëria është krenare për anëtarësimin në këtë aleancë dhe është shumë e angazhuar, duke dhënë ndihmesën e vet modeste.

“Shqipëria po merr pjesë në Afganistan, ku procesi i transferimit të kompetencave forcave afgane të sigurisë po ecën mirë dhe me shpejtësi.Afatet duhen respektuar, por vendet dhe ushtritë tona duhet të qëndrojnë bashkë me SHBA në përpjekjet për të garantuar sigurinë dhe për të zhvilluar Afganistanin në mënyrë të qëndrueshme e të pakthyeshme” – tha ai.

Kjo konferencë e komandantëve tokësorë të vendeve anëtare të NATO-s u vlerësua shumë e rëndësishme në pragun e Samitit të Çikagos. NATO po zbaton një strategji të re në periudhën nga Samiti i Lisbonës deri në atë të Çikagos. Ekspertët thanë se kriza ekonomike ka bërë që shpenzimet të shkurtohen dhe NATO po punon për një mbrojtje të zgjuar, pra, që misionet e saj të realizohen plotësisht me më pak fonde pa cënuar objektivat./botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button