Martin Shulc u tërhoq nga funksioni shef i diplomacisë gjermane
Lideri i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Martin Shulc sot kumtoi se do të heqë dorë nga funksioni ministër gjerman i Punëve të Jashtme, i cili iu nda me marrëveshje për formimin e koalicionit të ri qeveritar mes socialdemokratëve të tij dhe bllokut konservativ të kancelares Angela Merkel, transmeton MIA.
Vendimi i Shulcit vijoi pasi u eksponua në kritika nga anëtarë të cekur të SPD-së, për shkak të marrëveshjes me bllokun e Merkelit.
“Po tërhiqem nga pjesëmarrja në Qeverinë federale dhe në të njëjtën kohë lutem që me këtë t’u jepet fund debateve për zgjidhje personale në kuadër të SPD-së”, tha Shulc në kumtesën me shkrim ku e elaboroi vendimin e vet, duke shtuar se ka vendosur që interesat e partisë t’i vendosë para ambicjeve të tij personale.
Me marrëveshjen për formimin e koalicionit qeveritar mes SPD-së dhe bllokut të Unionit Demokristian (CDU) dhe të Unionit Kristian Social (CSU) të Merkelit, të arritur të martën, socialdemokratët i kanë marrë dikasteret e rëndësishme, të punëve të jashtme, të financave dhe të punës dhe politikës sociale.
Me këtë rast u kontraktua që Shulci, i cili është kryetari i mëparshëm i Parlamentit Evropian, ta ndërmarrë udhëheqjen me diplomacinë gjermane.
Marrëveshja dhe zgjidhjet kadrovike kanë hasur në kritika nga ana e disa anëtarëve të njohur të socialdemokratëve, duke përfshirë edhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme dhe ish liderin partiak Zigmar Gabriel, i cili në një intervistë deklaroi se është i dëshpëruar nga ajo “sa pak në SPD respektohen vendimet e dikujt dhe sa pak peshon fjala e dikujt”.
Pas zgjedhjeve në shtator, ku SPD ka arritur rezultat më të dobët zgjedhor pas Luftës së Dytë Botërore, Shulc paralajmëroi se partia tërhiqet nga koalicioni i deriatëhershëm qeveritar me konservatorët dhe se do të kalojë në opozitë. Por, pas mossuksesit të Merkelit që të sigurojë shumicë të re parlamentare, Shulc e ndryshoi qëndrimin e vet dhe vendosi të fillojë negociata me konsevatorët për formimin e koalicionit të ri qeveritar.