USAID: Me pjesëmarrje civile deri në shoqëri më të fuqishme

Në kuadër të angazhimeve për ndërtimin e një shoqërie të fuqishme civile dhe përforcimin e proceseve demokratike, tani më një çerek shekulli, USAID-i po përkrah organizatat civile dhe nxit pjesëmarrjen e tyre konstruktive në çështjet me interes publik. USAID-i punon me përkushtim dhe përkrah të rinjtë në drejtim të promovimit të dialogut, përforcimit të aftësive të tyre udhëheqëse dhe pjesëmarrjen në jetën publike. Në çerek shekullin e kaluar, USAID-i, në bashkëpunim me numër të madh të organizatave, grupeve të të rinjve dhe individëve, realizon projekte qëllimi themelor i të cilëve është përforcimi i kapaciteteve të organizatave civile dhe grupeve rinore për përparimin e politikave publike, përmirësimin e shërbimeve publike, promovimin e qeverisjes së mirë, e gjithë kjo me qëllim që të kontribuojë në përmirësimin e standardit jetësor të popullatës në Maqedoni. Përkrahja e USAID-it shtrihet deri në segmentet më të ndryshme të jetës shoqërore, ndërsa një nga qëllimet afatgjate është të ndihmojë në krijimin e shoqërisë civile aktive, të fuqishme dhe të vetëqëndrueshme.

Një nga projektet që filloi në gusht të vitit 2016 është Projekti  i USAID-it për pjesëmarrjen civile, qëllimi i të cilit është të përforcohen organizatat civile dhe kapaciteti i të rinjve për përparimin e politikave publike, përmirësimin e shërbimeve publike, promovimin e qeverisjes së mirë me qëllim që të kontribuohet në përmirësimin e standardit jetësor të njerëzve në Maqedoni. Projekti përkushtohet në barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve sociale të përjashtuara në Maqedoni. Projekti përbëhet prej katër komponentëve: (1) përforcimi i aleancave të organizatave civile; (2) përforcimi i organizatave civile; (3) përforcimi i kapaciteteve udhëheqëse të të rinjve; dhe (4) pjesëmarrja e të rinjve në zgjidhjen e sfidave në shoqëri.

Në drejtim të realizimit të aktiviteteve që zbatohen nga organizatat nacionale dhe lokale në Maqedoni, Projekti i USAID-it për pjesëmarrje civile i përkrah iniciativat për promovimin e pjesëmarrjes së të rinjve dhe aktivizimit, siç janë aktivitetet e Aleksandar Matovski – Cakos, poet i ri dhe aktivist që angazhohet për përmirësimin e statusit shoqëror të personave me sindromën e Down-it; Antonio Gjorgjievski i cili nëpërmjet inkuadrimit në platformën www.coolinari.mk promovon trajnimin profesional të të rinjve dhe rëndësinë e shkathtësive praktike për rritjen e potencialit të tyre për punësim; dhe Aksioni rinor kulturor nga Krusheva dhe puna e kësaj organizate për ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë në Krushevë për përgjegjësitë e tyre për të ruajtur trashëgiminë kulturore përmes aktiviteteve kreative dhe inventive.

Shoqata “Inkluziva” nga Kumanova, që është një nga 33 organizatat civile të përkrahura nga Projekti për pjesëmarrje civile, arriti të ngrit çështjen e pjesëmarrjes së personave me pamje të dëmtuar në procesin zgjedhor, me ç’rast Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e miratoi propozimin për procedurat për votim të pavarur të personave të verbër dhe me dëmtime në shikim. Menjëherë pas miratimit, shoqata “Inkluziva” filloi me trajnim dhe edukim të personave të verbër dhe me dëmtime në shikim për procedurat e reja për pjesëmarrje në procesin e votimit me përdorimin e alfabetit Braille (Braj).

Një rrëfim tjetër interesant është “Info muri për disleksion” i Shoqatës “Ajnshtajn”, qëllimi i së cilës është ta ngrisë vetëdijen për përparësitë dhe mangësitë specifike për pengesat në mësim, siç janë disleksioni, diskalkulimi, disgrafia dhe dispraksia. Shoqata realizoi ligjërata interaktive në të cilat ishin përfshirë më shumë se 600 nxënës dhe 50 përfaqësues të këshillave shkollorë në 15 shkolla të mesme në Maqedoni. Përveç kësaj, në ueb faqen www.dyslexia-info.com u shpallën materiale dhe teknika për vetëndihmë të cilat do u mundësojnë arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve të mësojnë më shumë për këto vështirësi, dhe si ta përforcojnë vetëbesimin e personave me këto vështirësi.

Platforma digjitale http://www.impact.mk/ impAKT e Shoqatës për përparimin e demokracisë Democracy Lab ofron resurse dhe vegla për pasurim të njohurive dhe shkathtësive të të rinjve për planifikimin dhe zhvillimin e ideve projektuese, vlerësimin e nevojave të bashkësisë, identifikimin e resurseve të bashkësisë. Kjo platformë u shfrytëzua nga katër organizata rinore lokale nga Gostivari, Tetova, Kërçova dhe Kavadarci për realizimin e 20 aksioneve të vogla, në realizimin e të cilave merrnin pjesë rreth 1600 persona të rinj. Nëpërmjet kësaj platforme, shoqatat përfituan shkathtësi të duhura për realizimin e aktiviteteve për qasjen dhe mobilizimin e të rinjve në aktivitetet me përgjegjësi shoqërore. Si rezultat i këtyre aksioneve, u pastrua deponia e egër në Gostivar, u organizua eveniment për grumbullimin e mjeteve higjienike dhe rrobave për personat në nevojë, u  ngjyros pajisja urbane në parkun e Gostivarit, e më pas u organizuan ligjërata edukative për lëmi të ndryshme, si për shembull si të riciklohet në mënyrë të drejtë.

Kjo është vetëm një pjesë e aktiviteteve që janë mbështetur. Deri tani, Projekti i USAID-it për pjesëmarrje civile përmes ndarjes së grandeve, vlera e të cilëve tejkalon 1 milion dollarë amerikan, përfshiu mbi 3 600 qytetarë dhe mbi 5 000 persona të ri në aktivitete të ndryshme për përforcimin e pjesëmarrjes civile dhe të rinjve në veçanti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button