Maqedoni, banorët ankohen për faturat marramendëse të energjisë elektrike

Banorët vazhdojnë të ankohen nga faturat marramendëse që ju vijnë çdo muaj nga EVN për pagesën e energjisë elektrike. Ata për Portalb.mk thonë se nuk janë të sakta faturat dhe se nuk janë korrekt nga kompania e cila në një vend si Maqedonia të mbaj këto çmime për energjinë.

“Ne standardin e kemi shumë  të ulët të paguajmë 150 euro rrymë, kur ka familje që me aq mbijetojnë një muaj. Nuk e di se pse ne e kemi energjinë më të shtrenjtën në rajon, kurse të ardhurat i kemi më të voglat”, tha Ibrahim L., banor.

“Thanë që do të lirohet çmimi i energjisë elektrike madje edhe thanë që me tarifë të lirë do të shtohen edhe dy orë gjatë ditës, por neve na vinë faturat dyfish me të larta sesa vitin e kaluar. Çka po ndodh? Pse po na mashtrojnë kështu? Nuk është e drejtë dhe ne duhet të ngritim zërin se na rrjepën”, tha Blerim T., banor.

“I bënë faturat shqip që të na kërkojnë të holla edhe për përkthimin. Nëse ky është çmimi, nuk i duam fare faturat shqip, po duam fatura korrekte me çmim të arsyeshëm dhe jo gjigant që duhet të mendojmë se ku ti gjejmë të hollat për të paguar faturën”, tha Imer  S., banor.

Gjithashtu faqen e krijuar në rrjetin social Facebook kundër EVN-së, banorët madje bëjnë thirrje për protesta kundër faturave të larta të energjisë.

Në disa nga komentet banorët ankohen edhe për  ata që nuk jetojnë këtu që iu vjen faturë marramendëse e energjisë.

“Si është e mundur që në një shtëpi të mos jetoj askush dhe energjia elektrike të vjen tre apo katër mijë denarë”, thonë banorët.

Gjithashtu ata të revoltuar thonë se EVN duhet përzënë nga Maqedonia.

“Një firmë që rrjep qytetarin, që lë pa kafshatën e gojës për të paguar fatura marramendëse të energjisë elektrike nuk ka vend këtu”, shprehen qytetarët.

Ndërkaq Vjosa Selimi nga EVN për Portalb.mk sqaron se faturimi paushall korrigjohet.

“EVN Maqedoni bën leximin e njehsorëve për çdo muaj, edhepse sipas Ligjit për Energjetikë dhe Rregullat e Rrjetit për furnizim me energji elektrike e ka për obligim leximin e njehsorëve një herë në vit. Faturat paushale dërgohen atëherë kur ekipet e EVN Maqedoni për arsye të ndryshme nuk kanë qasje në objekt për të kryer leximin e konsumit nga njehsori. Gjithsesi, gjithmonë ekziston mundësia që konsumatorët të paraqesin gjendjen e konsumit të energjisë elektrike në raste kur ka vlerësim të shpenzimit dhe me anë të kësaj bëhet edhe korrigjim i faturës.”, tha për Portalb, Selimi.

Sa i përket çmimit Selimi tha se EVN Maqedoni nuk bën përcaktim e tij, por është e detyruar që gjatë kalkulimit të kompensimit të energjisë elektrike të konsumuar nga konsumatorët, t’i përdorë çmimet që i përcakton Komisioni Rregullator.

“Përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike e bën Komisioni Rregullator për Energjetikë në bazë të të dhënave dhe raporteve që i dërgojnë ndërmarrjet e rregulluara si: EVN Maqedoni, ELEM, MEPSO. Pra EVN Maqedoni nuk bën përcaktim të çmimit, por është e detyruar që gjatë kalkulimit të kompensimit të energjisë elektrike të konsumuar nga konsumatorët, t’i përdorë çmimet që i përcakton Komisioni Rregullator. Ky komision vendos se a do të jetë me i lartë ose më i ulët çmimi i energjisë elektrike”, shtoi Selimi.

Kurse sa i përket tarifës së lirë, Selimi tha se konsumatorët përveç tarifës standarde të natës nga ora 22 deri më 07 për çdo ditë, shfrytëzojnë edhe tarifë të lirë ditore në periudhën prej ora 14 deri më 16 çdo ditë pune dhe të shtunën, ndërsa tarifa e lirë të dielën zgjat gjatë gjithë ditës./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button