Rasti Jahjaga, Berisha: Nuk jam kriminele që të zvarritem nëpër gjykata

Fjalimi i ish-presidentes Atifete Jahjaga, për pjesë të të cilit u padit për shpifje, po shpërndahet me të madhe në rrjete sociale. Në krah të saj, me hashtagun #mepresidenten, kanë dalë organizata të shoqërisë civile e personalitete publike.

Por, personi që u janë dedikuar këto fjalë, Shyhrete Berisha, është prekur kur ka dëgjuar se ish-presidentja Jahjaga, do të përballet me drejtësinë.

Berisha, ka folur për KTV-në lidhur me kontestin e saj për shtëpinë që tani gjendet në Gjykatën e Apelit si dhe rastin e ish-presidentes Jahajga.

Jahjaga, sipas Berishës, e ka thënë një të vërtetë të hidhur.

“Në lirinë e Kosovës, kurrë nuk e kisha besu që kunati jem ma uzurpon shpinë, mi uzurpon kujtimet e fëmijëve të mi, burrit tem, edhe më ngreh zhag gjyqeve qe 18 vjet. E të njëjtat fjalë, i ka thënë edhe presidentja”, ka thënë Berisha.

Berisha pret që gjykata të hedh poshtë padinë ndaj Jahjagës, është shprehur e dëshpëruar për rastin e saj në Gjykatën e Apelit, që nuk pritet të trajtohet së shpejti.

“Jam lodh, unë mendoj që nuk jam kriminele për kaq vite me u zvarrit nëpër gjykata. Mendoj që drejtësia ka me pas parasysh qe sa vjet jam nëpër gjykata, edhe ka me e kry ma shpejt”, ka thënë ajo.

Berisha, aktualisht është duke jetuar jashtë Kosovës, ndërsa po pret vendimin e gjykatës, që të kthehet dhe të realizojë planin që shtëpinë ta shndërrojë në muze.

Organizatat joqeveritare, që mbrojnë të drejtën e gruas në Kosovë, padinë ndaj Jahjagës e komentojnë si një tentim për të mbyllur gojët e aktivisteve në këtë fushë.

Për padinë, juristja e medias Flutura Kusari, në blogun s’bunker ka dhënë disa arsye se pse ajo mund të hedhet poshtë, në mes tjerash pasi është e pasafatshme.

Për më tepër, Kusari ka shkruar se Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, favorizon Jahajgën pasi që parasheh edhe mbrojtjen e opinioneve.

Megjithatë, mbetet të shihet ecuria e këtij gjykimi, që ka të caktuar seancë për caktim të masës së sigurisë, në javën e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button