Serbi, Tadiç dhe Daçiç formojnë koalicion qeverisës

Boris Tadiç dhe Ivica Daçiç kanë rënë dakord për të formuar koalicionin partiak që do të qeverisë Serbinë në katër vitet e ardhshme. 

Sipas raportimeve të “REL”, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, dikur e drejtuar nga Sllobodan Millosheviç, kanë nënshkruar marrëveshjen. Pakti në fjalë parashikon që PS do të mbështesë Tadiç për të siguruar një mandat të tretë si president, në balotazhin e 20 majit që do të mbahet kundër liderit radikal Tomisllav Nikoliç. 

Partia Demokratike e Tadiç dhe ajo Socialiste e Daçiç në zgjedhjet parlamentare të 6 majit u renditën përkatësisht e dyta dhe e treta, ndërsa vendin e parë e mori Partia Progresiste e Nikoliç. Konkretisht, progresistët kanë siguruar 73 vende në Kuvend, demokratët 68, ndërsa socialistët 45 deputetë, të konsideruar si më të suksesshmit në këto zgjedhje. 

Shqiptarët kësaj radhe për shkak të një përqindjeje të vogël, afërisht 0.1, nuk kanë arritur të futen në Parlament. 

Ndërsa në zgjedhjet presidenciale, Tadiç doli i pari por me një diferencë fare të shkurtër ndaj rivalit të tij, konkretisht 26 me 25 për qind të votave./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button