Shilegov dhe Kaminis me thirrje për afrimin e Shkupit dhe Athinës

Kryetari i Qytetit të Shkupit dhe të Athinës, Petre Shilegov dhe Jorgos Kaminis, nesër do të kenë takim zyrtar në Athinë. Me këtë rast, të dy kryetarët, sot me kolumnë të përbashkët kanë bërë thirrje për afrimin e të dy qyteteve dhe mbylljen e çështjeve të hapura mes Maqedonisë dhe Greqisë, njofton Portalb.mk.

Kolumna është publikuar në numrin e sotëm të gazetës maqedonase “Slloboden Peçat” dhe asaj greke “Te Nea”.

“Gjatë javëve të kaluara janë bërë hapa të rëndësishëm dhe është krijuar moment për zgjidhjen e kontestit i cili e ndanë dy shtetet tona me dekada. Kjo ka kulmuar me takimin konstruktiv mes dy kryeministrave në Davos, që solli deri në shprehje të shpresës dhe inkurajimit te popujt tanë se kjo mundësi historike nuk do të lëshohet përsëri. Ne, si kryetarë të kryeqyteteve të dy vendeve, i bashkojmë zërat tanë dhe e përkrahim procesin që çon në drejtim të zgjidhjes, dhe jo drejt zhgënjimit”, theksojnë Shilegov dhe Kaminis në kolumnë.

Dy kryetarët e komunave e kanë theksuar edhe kuptimin e tyre se aktivizimi i bisedimeve krijon frikësime dhe pasiguri te pjesa më e madhe e popullatës në të dyja vendet, dhe se ato ndjenja negative dhe shqetësime duhet që të respektohen, me kujdes të zgjidhen dhe të mos injorohen.

“Nuk guxojmë që të lejojmë që zërat nacionalistë në të dyja palët t’i shfrytëzojnë këto ndjenja në përpjekje që ta rrezikojnë marrëveshjen përfundimtare dhe përsëri ta vendosin fatin tonë dhe ardhmërinë tonë të përbashkët, jo vetëm si fqinj, por edhe si qytetarë evropiane”, shkruajnë Shilegov dhe Kaminis.

Ata si liderë lokalë, të përballur me fuqinë e qyteteve që bëhet gjithnjë e më e madhe, sqarojnë se përballen me shumë sfida që janë bazike për qytetarët e tyre.

“Sot qytetet e Evropës i ndajnë praktikat më të mira, bashkëpunojnë në nivele të ndryshme, dizajnojnë politika integruese, promovojnë qëllime globale dhe kyçen në dialog të përbashkët në institucionet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare. Qytetet kanë trimëri të ndërmarrin përgjegjësi të mëtutjeshme dhe ta zhvillojnë interaksionin e ngushtë me shoqëri civile aktive, gjithnjë në drejtim të përmirësimit të kushteve jetësore dhe sjelljen e vendimeve konkrete për problemet e qytetarëve”, shkruajnë më tej Shilegov dhe Kaminis.

Krerët e dy qyteteve janë të vendosur që të ndërtojnë më shumë ura të bashkëpunimit dhe fuqi lëvizëze për afrimin e dy vendeve fqinje. Ata vlerësojnë se është fakt i pamohueshëm se bizneset në Shkup dhe Athinë gjithnjë e më shumë po afrohen, se ekziston këmbim, të rinjtë studiojnë në të njëjtat universitete, ndërkaq bashkëqytetarët e tyre vizitojnë destinacione të njëjta turistike në të dyja vendet dhe zhvillojnë mes vete miqësinë.

Në fund të kolumnës, ata shtojnë se si krerë të dy kryeqyteteve, kanë vendosur që të hapin rrugë drejt bashkëpunimit më të afërt dhe fuqimisht i inkurajojnë qeveritë e tyre nacionale që ta investojnë atë përpjekje shtesë që të mos lëshohet mundësia e re dhe të arrihet marrëveshje, e cila do t’u shërbejë qytetarëve të të dyja vendeve dhe do të garantojë të ardhme më të mira për të gjithë.

Ndryshe, kryetari i Athinës, Kaminis, në një intervistë për radio “Tema”, ka paralajmëruar se së shpejti edhe ai do ta vizitojë Shkupin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button