60 punonjës sezonal do ta pastrojnë Gostivarin

Këshilltarët komunalë të Gostivarit në seancën e sotme me shumicë votash i dhanë dritë jeshile Programit për organizimin e punëve publike për mjedis të përmirësuar jetësor në Komunën e Gostivarit, me çka ndërmarrjes publike “Komunalec” i hapet rruga për punësimin e 60 punonjësve sezonal që do të merren me zbatimin praktik të këtij programi. 

Ndërmarrja do të mbulon shpenzimet e rrugës, ushqimit, pagën dhe sigurimin shëndetësor për punëtorët sezonal deri në përfundimin e programit. 

Një nga vendimet kryesore të cilat i miratuan anëtarët e Këshillit të Komunës së Gostivarit, ishte vendimi për ndryshim të Programit për rregullim të tokës ndërtimore për vitin 2012, me të cilin parashihet ndërtimi i urës mbi lumin Vardar që do të lidh pjesën veriore me atë jugore të qytetit.

Seanca filloi me një minutë heshtje për këshilltaren e ndjerë Hafije Veliu ndërsa këshilltarët verifikuan edhe mandatin e këshilltarit të ri , Lutfi Asani nga RDK që do zëvendësojë të ndjerën Veliu.

Këshilltarët miratuan vendimin për ndryshim të radhitjes së mjeteve në buxhetin komunal, me të cilin vendim komuna e Gostivarit do të shlyen pagesën e faturave të rrymës dhe derivateve të naftës nëpër institucionet shkollore dhe foshnjoret publike, edhe pse ky obligim bie mbi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por ende nuk e ka bërë transferimin e bllok-dotacioneve. Komuna e Gostivarit, për këtë qëllim, nga buxheti i vet do të ndajë 9.7 milion denarë.

Po ashtu, këshilltarët miratuan vendimin për përcaktimin e tarifës për vendosjen e instalimeve në trupin dhe rripet e rrugëve, sipas të cilit kompanitë dhe operatorët që merren me instalimin e rrjeteve të ndryshme nëntokësore, siç është rrjeti i telefonisë fikse dhe rrjeti elektrik, obligohen që komunës t’i paguajnë nga 4 mijë denarë për 1 metër katrorë rrugë apo trotuar të shfrytëzua, por me obligim që atë sipërfaqe ta kthejnë në gjendjen e mëparshme./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button