fbpx

Afaristët nuk i dinë masat ekonomike, Saraçini do ti informojë

Ministria e ekonomisë nga java e ardhshme do organizojë vizita në kompanitë afariste shqiptare, me qëllim që ti informoj në hollësi për beneficionet  që mund ti përfitojnë nga masat më të reja të cilat qeveria i promovoi të dielën, u dakorduan gjatë takimit të sotëm numri një i ministrisë, Valon Saraçini dhe afaristët e Odës ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore, të kryesuar nga kryetari i saj Menderes Kuçi.

Saraçini tha se shumica e masave kanë karakter ekonomik dhe social dhe mund të ndikojnë në pjesën ekonomike por edhe në atë sociale, përkatësisht në hapjen e vendeve të punës, atyre të papunëve dhe të papunëve që gjenden në listat e entit për punësim, ndërsa vetëm në dy masat e para parashikohet hapja e rreth 3 mijë vendeve të reja të punës.

‘Qëllimi kryesor ishte që së bashku me Odën ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore,  duke filluar nga java tjetër të bëjnë prezantim direkt nëpër kompanitë tona, të bëjmë prezantim  në dy kompani në javë me qëllim që direkte t’ua komunikojmë këto masa, sepse gjithashtu kemi rënë dakord në atë se shumica e kompanive tona nuk kanë informate të sakta, të hollësishme dhe në detaje lidhur me projektet të cilat qeveria i promovon, ndoshta mjetet e komunikimit apo agjenda propaganduese e ministrisë duhet të përforcohet edhe më tepër, mirëpo fakt është se kompanitë tona nuk  janë të informuara, dhe kjo shihet në pjesëmarrjen e tyre në projektet e ndryshme të qeverisë, ku fatkeqësisht numri është tejet i dobët’, tha Saraçini.

Masat janë të mirëseardhura, edhe pse pak të vonuara tha Menderes Kuçi, kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore. Ne kemi kërkuar që qeveria të ndërmerr hapa të tillë edhe më herët, por jemi të vetëdijshëm se kriza nuk buron nga brenda  Maqedonisë, por nga shtetet e Bashkimit Evropian ku shumë afaristë nga OEMVP-ja eksportojnë mallëra, tha Kuçi.

‘Duke pasur parasysh se natyra e krizës që po vjen nuk është vetëm e vendit ajo po vjen nga Bashkimi Evropian ku afaristët tanë janë edhe eksportues sigurisht se do të ketë ndikim në mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë, megjithatë  mbetet  që me një mobilizim të veçantë dhe këtë më së miri Ministria e ekonomisë e ka kuptuar si fakt , duke e hapur edhe zyrën e saj të veçantë për bashkëpunim në veçanti me OEMVP-në,  në mënyrë që sa më lehtë apo sa më butë ta kalojnë këtë krizë aktuale nëpër të cilën po kalojmë’ tha Kuçi.

Gjatë takimit që u zhvillua në Librarinë e Çarshisë, afaristët pyetën Saraçinin se kur mund të aktivizohet  Zona e lirë ekonomike në Tetovë, me ç ‘rast ai i informoi se për menagjimin e saj janë të intersuara dy kompani evropaine.

Përfaqësuesi i shoqatës së artarëve, Nebi Hoxha kërkoi ndryshimin e ligjit për metalet fisnike, dhe adaptimin e këtij ligji me modelin e ligjit që zbatohet në Shqipëri, dhe që është mare nga Italia, me ç’rast ranë dakord që një  mundësi të tillë ta shqyrtojnë në ambientet e ministrisë gjatë ditë së nesërme.

Gjatë takimit me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar u promovua edhe versioni  shqip i gazetës prestigjoze ‘The Economist’, që bëhet për herë të parë në hapësirën gjuhësore shqipe./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close