Ahmeti: Presim qeverinë e re të Greqisë të zgjidhim kontestin

Në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2002, qytetarët shqiptarë vendosën njëzëri që të mbështesin ata që filluan të shtojnë rrugën e pashtruar për të lënë gjurmë duke hapur rrugën e barabarësisë dhe ardhmërisë, tha në fjalimin e tij lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në manifestimin me rastin e 10-vjetorit të formimit të kësaj partie.

“Në këtë mandat qeverisës, u zyrtarizua Universiteti Shtetëror i Tetovës, u realizua procesi i Decentralizimit, sollëm pakon e madhe të ligjeve që buruan nga marrëveshja e Ohrit, iniciuam procesin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e vendit, miratuam ligjin për përdorimin e Flamurit kombëtar shqiptar. Gjithashtu gjatë qeverisjes së parë, në bazë të zbatimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimi Evropian i ndau Maqedonisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, tha Ahmeti.

Më tutje, në fjalimin e tij, lideri i Bashkimit demokratik për integrim tha se vazhdimi i ndërtimit të shtyllës së tretë të rrugëtimit tonë vijoi me nisjen e Dialogut Substancial për anëtarësim në Bashkimit Evropian edhe krahas pengesës me kontestin e pazgjidhur me fqiun tonë jugor në lidhje me emrin e vendit.

Në lidhje me çështjen e emrit, Ahmeti shtoi se kjo pengesë qëndron para portës së hyrjes së Maqedonisë në NATO dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme. 

“Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Qeveria e Maqedonisë është në pritje të formimit të Qeverisë stabile në Greqi që të vijojë përpjekjet për zgjidhje të shpejtë”, tha Ali Ahmeti, kryetari partisë shqiptare në pushtet./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button