EUobserver: Letra e Spanjës kundër Kosovës në BE, “me ndikim të vogël”

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, po planifikon një turne në Ballkanin Perëndimor me qëllim të luftimit të ndikimit rus e kinez.

Udhëtimi i tij, nga 26 shkurti deri më 1 mars, do të përfshijë Prishtinën, Tiranën, Podgoricën, Shkupin, Sarajevën dhe Beogradin para se të përfundojë me një vizitë në Sofje, vend i cili kryeson presidencën aktuale të BE-së.

Një burim i BE-së tha se Juncker po e zhvillon këtë turne për shkak se “Ballkani Perëndimor strategjikisht është shumë i rëndësishëm, dhe herët a vonë do të bashkohet në BE”.

“Ndikimi gjeopolitik i Rusisë, Kinës, Turqisë atje po rritet, dhe është shumë me rëndësi që ndikimi i BE-së të mbetet atje dhe të jetë mbizotërues”, ka thënë burimi për “EUobserver”.

Juncker nisi mandatin e tij më 2014 duke thënë se nuk do të ketë zgjerim të BE-së në një të ardhme të parashikueshme.

Por të martën (6 shkurt), komisioni planifikon të thotë se Mali i Zi dhe Serbia mund të jenë të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri më 2025 në një strategji të re të Ballkanit Perëndimor.

Burimi i lartë i BE-së thotë se data është një “perspektivë, jo afat përfundimtar”.

“Procesi do të mbetet siç është, i bazuar në merita, dhe nëse këto merita arrihen, atëherë 2025 mund të jetë datë realiste për pranim”, tha burimi, transmeton Koha.net.

Burimi shtoi se të gjitha çështjet territoriale, siç është mos-njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, “duhet të zgjidhen” deri në atë kohë.

Po ashtu, ky burim tha se edhe mosmarrëveshja kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë, që tashmë janë anëtare të BE-së, duhet të zgjidhet në mënyrë që gjërat të shkojnë përpara.

“Çështja mes Kroacisë e Sllovenisë është një barrë e rëndë për Ballkanin Perëndimor, dhe nëse nuk zgjidhet shpejt, i tërë momentumi i Ballkanit Perëndimor do të vritet”, tha burimi, duke shtuar se “komisioni s’ka çfarë të bëjë ligjërisht” për të intervenuar.

Hungaria, për shembull, e ka mirëpritur iniciativën e Junckerit.

“Nëse e shihni SHBA-në, Rusinë, të dyja kanë një strategji për Ballkanin, por BE-ja nuk ka një strategji për Ballkanin… BE-ja duhet të jenë forcë stabilizuese atje”, ka thënë Zoltan Kovacs, zëdhënës si qeverisë hungareze, transmeton Koha.net.

Ai tha se Mali i Zi është “i gatshëm të hyjë” në BE dhe se Serbia “duhet të pranohet sa më shpejtë që të jetë e mundur – 2025-a do të ishte mirë”.

Shtysa e re diplomatike është t’i shohim 28 liderët e BE-së të takojnë gjashtë homologët e tyre ballkanikë në një samit në Sofje në maj.

Kundërshtimi spanjoll

Spanja, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës nga Serbia, ka kërcënuar me prishje të shfaqjes.

Në një letër jo-zyrtare, të publikuar në “Koha Ditore”, Spanja tha se strategjia e re e komisionit për Ballkanin Perëndimor “duhet të ketë një ndarje të qartë” mes Kosovës dhe pesë aspirantëve tjerë ballkanikë.

Ndonëse Kosovën nuk e njohin edhe katër shtete tjera të BE-së – Qipro, Greqia, Rumania e Sllovakia – ato nuk u rreshtuan kah Spanja kësaj radhe, ndërsa diplomatë të BE-së e kanë cilësuar të një rëndësie të vogël intervenimin e vetmuar të Spanjës.

“Këtë dokumentin [spanjoll] e vlerësojmë si një prej shumë kontributeve për diskutim”, tha një diplomat nga një shtet i Evropës qendrore, pjesë e BE-së, për “EUobserver” , transmeton Koha.net.

“Samiti në Sofje do të jetë për të ardhmen e tërë Ballkanit Perëndimor dhe për marrëdhëniet e tij me BE-në. Ne presim pjesëmarrjen edhe të Kosovës”, ka shtuar diplomati.

Një tjetër kontakt i këtij mediumi ka thënë se letra e Madridit është draftuar para Katalonjës, rajonit spanjoll, që votoi për t’u ndarë nga Spanja në një referendum në muajin dhjetor, dhe se nuk përmban asgjë të re.

Burimi i tretë i EUobserver tha se në rast se kriza e Katalonjës nuk ndizet sërish, Spanja ka shumë pak gjasa që të krijojë probleme të mëdha.

Diplomatët po ashtu kanë thënë se shefi i Këshillit të BE-së, Donald Tusk dhe zyrës së tij do t’i duhet të hartojë një ftesë artistike si dhe përfundimet për samitin e Sofjes, e cila nuk përmend “shtetet” apo “krerët e shteteve”, në mënyrë që t’i qetësojnë nervat spanjolle, transmeton Koha.net.

Turqia nuk është e ftuar

Letra e Spanjës, e parë nga EUobserver, përmendi edhe nevojën për të provuar të komunikohet me Turqinë – i vetmi vend tjetër me perspektivë për anëtarësim në BE.

“Pavarësisht rrethanave të tanishme, Turqia nuk duhet harruar”, ka thënë Spanja, duke iu referuar sjelljes autoritare të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Është partneri ynë më i vjetër i zgjerimit, i bashkuar me ne në një marrëdhënie të fuqishme multidimensionale. Është edhe lojtar kyç në rajon dhe aleat themelor strategjik i BE-së”, thotë më tej Spanja në letër, transmeton Koha.net.

Edhe Erdogani ka shfaqur interesim për të marrë pjesë në samitin e Sofjes në maj.

Por zyrtarët e BE-së ndien se ardhja e tij do ta errësonte ngjarjen, dhe për këtë Tusk dhe Juncker po planifikojnë të takojnë atë në një “samit më të vogël institucional” në shkurt ose mars.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button