Veriu rrezikon koalicionin qeverisës

Kryeministri Hashim Thaçi nuk është i gatshëm t’i hyjë dialogut për veriun duke e pasur në krah vetëm Behgjet Pacollin. Kështu kanë deklaruar zyrtarë të lartë vendës dhe ndërkombëtarë.

Zyrtarët vendorë, në kushte anonimiteti, kanë thënë se Thaçi është duke u ndruajtur se një dialog i tillë do ta dëmtonte pozicionin politik të tij, si karshi liderit të LDK-së, Isa Mustafa, ashtu edhe kundrejt atyre që pretendojnë ta marrin drejtimin e PDK-së, ndërsa të dytët kanë shprehur mirëkuptim për këtë qëndrim të tij.

“Thaçi do t’i hynte dialogut për veriun me kushtin e vetëm që në të përfshihet edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Kështu LDK-ja do ta humbte mundësinë për të përfituar poenë politikë te qytetarët dhe në anën tjetër, askush në PDK nuk do të mund t’ia ngarkonte fajin pse ka pranuar t’i hyjë dialogut politik”, ka thënë një zyrtar i mirinformuar me rrjedhat e procesit paradialogues, shkruan Koha Ditore

I njëjti zyrtar ka sqaruar se këtë qëndrim kryeministri Thaçi tashmë ua ka bërë të qartë “miqve ndërkombëtarë”.

“Bile, ai (Thaçi v.j.) nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta prishë koalicionin qeverisës, për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, nëse Mustafa nuk pranon të jetë pjesë e dialogut”, ka thënë burimi i gazetës.

Prishja e koalicionit qeverisës është parë si opsion real edhe nga një diplomat i lartë ndërkombëtar. Pritjet e tij, janë që Qeveria Thaçi 2, do të “delegjitimohet” në shtator të këtij viti. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button