LARGIMI I NJERIUT TË VEÇANTË

(Me rastin e vdekjes së prof. dr. Remzi Nesimit)

Edhe një albanolog i veçantë u largua nga mesi ynë, të shtunën, më 3 shkurt, në orët e hershme të mëngjesit.  Vdiq albanologu dhe profesori i njohur Remzi Nesimi. Një njeri i mirë dhe familjar shembullor, të cilin, si rrallëkë e stoliste virtyti i modestisë dhe i gatishmërisë për t’u ndihmuar studentëve dhe të gjithë njerëzve. Shkoi në amshim, në kujtesën tonë kombëtare, duke lënë pas vetes një zbrazëti (se humbëm një njeri të veçantë), por njëherësh duke lënë pas vetes një vepër të madhe gjuhësore dhe pedagogjike.

Lajmi për largimin e tij u prit me pikëllim në tërë hapësirën tonë etnike nga njerëzit e dijes dhe miqtë e shumtë që kishte, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur.

Prof.dr.Remzi Nesimi u lind në fshatin Odri të Tetovës, në vitin 1933. Shkollën e mesme e kreu në Tetovë, të lartën dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Beogradit, kurse doktoratën e mbrojti në Universitetin e Prishtinës.

Punoi si lektor i gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Universitetin e Beogradit (1962-1964), profesor i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike në Shkup (1964-1975), profesor në Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare në Universitetin e Shkupit (1975-1999).

Për shkak të punës së tij të gjatë e të suksesshme si profesor universitar, duke nxjerrë shumë arsimtarë e profesorë të gjuhës e letërsisë shqipe që sot ligjërojnë  nëpër shkollat toma fillore, të mesme e fakultete ne Maqedoni e Kosovë, për shkak të librave shkollorë që i hartoi, për shkak të artikujve të shumtë shkencorë që i botoi, profesor Remziu  u bë i njohur për shtresat intelektuale në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, sepse ai jo vetëm që u bë pedagog i respektuar, por  diti t’i shpjegojë me nivel shumë fenomene e zhvillime të së folmes shqipe të Maqedonisë, duke u bërë gjuhëtari i parë me peshë i këtyre anëve. Si i tillë, prof. Remziu ka marrë pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë në vitin 1972, ku mbajti referatin: “Procesi i njësimit të shqipes letrare në Maqedoni”. Por angazhimi i tij nuk u ndal këtu. Ai mori pjesë në shumë simposiume e konferenca të ndryshme që janë organizuar ndër vite për gjuhën shqipe.

Puna e përgjithshme e profesor Remziut në të vërtetë ishte një mburojë e gjuhës shqipe dhe e traditës sonë kulturore.

Idetë e tij kanë mbetur udhërrëfim për kërkimet e mëtejshme të fenomeneve gjuhësore të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Virtytet të cilat e stolisnin prof. Remziun dhe që e bënë aq popullor në popullin tonë ishin modestia, gatishmëria e tij për të qenë afër popullit dhe puna e palodhshme në fushë të kërkimeve gjuhësore shqipe. Ai gjithmonë ka qenë i gatshëm për bisedë me gjithkënd, pa marrë parasysh se nga cila shtresë shoqërore vinte dhe pa përtesë fliste për karakteristikat e të folmeve të këtyre anëve, të cilat i kishte gjurmuar me kujdes nga goja e popullit.

Para pak ditësh e vizituam profesorin me Taip Nesimin (vëlla i profesorit) dhe me Shaban Aliun (kushëri imi).  Ndenjëm më shumë se dy orë në bisedë me të. I sëmurë, por i kthjelltë, kureshtja e tij për zhvillimet në fushë të arsimit e të kulturës ishte në të njëjtin nivel. Vazhdonte të ndjehej te ai ajo fuqia e frymëzimit që e karakterizonte si në kohët kur angazhohej për studentët dhe kur ishte model i intelektualit dhe pedagogut, por edhe i një qytetari të ndershëm, model që duhej ndjekur nga të rinjtë. Biseduam gjatë për ecuritë dhe zhvillimet në arsim e në kulturë. Ngazëllehej me lajmet e mira dhe pikëllohej për lajmet tjera, sepse gjithmonë ka qenë në anën e përparimit dhe të dritës dhe kundër prapambeturisë e errësirës.

Patriotizmin e tij e manifestonte në mënyrën më të mirë: përmes kujdesit për studentët që dalloheshin në mësime. Kjo cilësi e tij, vihej re edhe në këtë bisedë, ashtu siç ka qenë tërë jetën. Kjo dëshmohet edhe nga fjalët e së bijës, Valbonës, e cila e vazhdoi punën pedagogjike të babait, duke u bërë, po ashtu, profesoreshë universitare

Kur u ndamë, prof. Remziu u falënderua që e vizituam. Tha: “Kjo vizitë është festë e madhe për mua”!

Këtë ditë mendoja t’ia bëj edhe një vizitë. Për fat të keq më parë arriti kumti  për largimin fizik të tij, na befasoi vdekja e tij.

Në vend të festës që duhej ta përsërisim, erdhi pikëllimi.

Profesor Remziu ka qenë i veçantë edhe si familjar, si bashkëshort, baba dhe gjysh. Ka qenë mik dhe bashkëpunëtor me shumë intelektualë. Të gjithë do të jenë krenarë që patën fatin të jenë pranë tij dhe që bashkëpunuan me të.

Familjarët dhe miqtë do ta kujtojnë, ndërsa kolegëve u mbetet ta përjetësojnë veprën e tij si gjuhëtar e pedagog. Sepse, duke kujtuar figurat si prof. Remzi Nesimi, ne i ngremë përmendore gjuhës që na e kanë lënë të parët. Gjuha për të cilën punoi ky njeri i mirë është bota jonë, është atdheu ynë i pandashëm. Jashtë saj nuk ndodh asgjë. Ajo është fryma jonë. Është një mrekulli që na jep ndjenjën se jemi, na jep ndjenjën e krenarisë dhe forcën për të vazhduar më tutje. Kjo është rruga jonë.

Ta ndjekim këtë rrugë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button