Yjet e Evropianit

Evropiani po afron dhe yjet e tij kanë nisur t’i ngrohin motorët. Duke filluar nga makineria e golit Cristiano Ronaldo, për të vazhduar më pas me gjenialët e mesfushës Xavi e Pirlo dhe në fund veterani Shevchenko, ‘Euro 2012’ do të jetë i mbushur me yje, që priten të shkëlqejnë.

Ueb faqja eurosport.it e ka publikuar listën e top 10 futbollistëve të Evropianit.

Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri tek fillimi i Evropianit, është koha e duhur për t’iu përkushtuar tërësisht këtij evenimenti, i cili do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë. Ueb faqja eurosport.it e ka zgjedhur dhjetëshen e futbollistëve më të mëdhenj të ‘Euro 2012’, duke përfshirë këtu edhe futbollistë të dy vendeve organizatore.

10) Andriy Shevchenko (Dinamo Kiev / Ukrainë) – Së bashku me polakun Lewandowski është ‘pronar i shtëpisë’ në këtë eveniment. Në kompeticionin e fundit ndërkombëtar të karrierës, kapiteni i Ukrainës dëshiron të përshëndetet nga Evropiani si një protagonist. Shpejtësia dhe shkathtësia nuk janë më si në kohën kur luante në Milan, por klasi mbetet i njëjti.

Përfaqësuesja e Ukrainës llogarit në të. Për herë të fundit.

9) Robert Lewandowski (Borussia Dortmund / Poloni) – Dy herë kampion i Gjermanisë rresht me fanellën e Borussia Dortmundit, sulmuesi polak vjen nga një sezon fantastik prej 22 golash në 34 ndeshje në Bundesligë. Me Poloninë ka realizuar 13 gola nga 38 ndeshje zyrtare të zhvilluara. Ai është vetëm 23 vjeç, por në formë të hatashme. Sulmues me stil klasik, i fuqishëm dhe i dobishëm me këmbë dhe me kokë.
8)Steven Gerrard (Liverpool / Angli) – Është kapiten i ekipit të Roy Hodgson, pas mungesës së Terryt dhe largimit të Capellos. Pa Lampardin e lënduar, pesha e mesfushës do të vendoset e tëra në krahët e tij. Mirëpo, përvoja dhe klasi nuk i mungojnë, natyrisht. ‘Truri’ i Anglisë është ky mesfushor i Liverpoolit.
7) Andrea Pirlo (Juventus / Itali) – Që kur Prandelli është bërë selektor i Italisë, Pirlo ka qenë gjithmonë qendër e projektit. Këmbët e një braziliani dhe një inteligjencë taktike mbi mesataren. Me Balotellin e Cassanon, është pa dyshim lojtari me klasin më të madh në Kombëtare. Shpresat e italianëve kalojnë sigurisht nga loja e tij.
6) Mesut Özil (Real Madrid / Gjermani) – Mourinho është bazuar gjithmonë tek ai, kur ka dashur t’i ndryshojë gjërat në Real Madrid. Nga Gjermania, ndoshta më ‘globale’ në të gjitha kohët, është njeriu me fantazinë më të madhe. Me Klosen përpara dhe përkrah Müllerit e Podolskit, futbollisti me prejardhje turke mund të bëhet lojtari kyç i Evropianit. Me topin në këmbë, ai mund të ‘gatuajë’ asistime të shumta për shokët.
5) Xavi Hernandez (Barcelona / Spanjë) – Me Pirlon është njëri prej mesfushorëve më të mirë në botë në vitet e fundit. Në mes tij dhe Iniestas ka qenë një luftë e ashpër për t’i zgjedhur simbolet e Evropianit, por në fund eurosport.it e ka zgjedhur pikërisht numrin 6 të Barcelonës. Mirëpo, thjesht kjo është një zgjedhje mediale, që nuk do të thotë se Iniesta nuk e meriton pjesëmarrjen në listën e yjeve të Evropianit.
4) Karim Benzema (Real Madrid / Francë) – Eksperienca e tij në Real Madrid nuk nisi në mënyrën më të mirë. Por, me inteligjencën e tij, sulmuesi francez ia ka ndërruar mendjen Jose Mourinhos, njërit prej trajnerëve më të mirë në dekadën e fundit, por edhe të gjithë kritikëve që e akuzonin. Transformimi është parë këtë vit. Ai ishte titullar në Realin kampion të Spanjës, autor i 32 golave në përgjithësi. Tash e pret Evropianin, ku synon të jetë po ashtu protagonist me Francën.
3) Zlatan Ibrahimovic (Milan / Suedi) – Do të mbetet në Milan, ndoshta me numrin 10 në fanellë, e cila do të lirohet nga Seedorf. Suedinë së pari e la përfundimisht për t’u rikthyer më pas, duke e ndihmuar në kualifikimet për ‘Euro 2012’. Skuadra skandinave varet e tëra nga klasi i tij. Problemi është se futbolli është një sport kolektiv dhe i vetëm nuk mund të fitosh. Kur ta kuptojë këtë Ibra, do të bëhet vendimtar.
2) Robin van Persie (Arsenal / Holandë) – Është njeriu më i përfolur për momentin në ‘pazarin’ e verës. Edhe pse nuk ka vendosur se ku do të luajë nga sezoni i ardhshëm, Van Persie i ka idetë e qarta në Evropian. Golashënuesi më i mirë i Premierligës me 30 gola dëshiron ta fitojë këtë eveniment, pasi dështoi ta bënte një gjë të tillë në Botëror. Nuk mjaftojnë emrat e Sneijder e Robben, pasi që ylli i ‘Orange’ në Ukrainë dhe Poloni do të jetë RVP.
1) Cristiano Ronaldo (Real Madrid / Portugali) – Me fanellën e Real Madridit, pak kohë më parë e ka fituar titullin e parë të kampionit spanjoll, duke realizuar plot 46 gola nga 38 ndeshje. Një shifër e ‘frikshme’ e kaluar vetëm nga fenomeni Leo Messi, i cili megjithatë e ka fituar këtë vit ‘vetëm’ trofeun Copa del Rey. Për momentin, ‘Topi i Artë 2012’ flet në anën e portugezit, por do të jetë pikërisht Evropiani përcaktues në këtë aspekt. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button