Vërshimet në Tetovë e lanë pa ujë Porojin dhe bllokuan disa rrugë (FOTO)

Rrugë të bllokuara, rrëshqitje dheu dhe bllokim të sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit. Ky është bilanci nga vërshimet e djeshme të shiut, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në qytetin e  Tetovës dhe komunat përreth, raporton Portalb.mk.

Reshjet e shumta të shiut e kanë nxjerrë nga shtrati lumin në fshatin Poroj, ku si pasojë është shkatërruar sistemi i ujësjellësit  dhe i ka lënë banorët pa ujë për pije. Njëkohësisht si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, është bllokuar edhe rruga Poroj – Xhermë.

Në Dobrosht të Komunës së Tearcës, janë vërshuar disa shtëpi, ndërsa rruga rajonale që lidh Maqedoninë me Kosovën për në pikën kufitare të Jazhincës është në gjendje kaotike nga balta dhe rëra që ka dalë në rrugë.

Rrëshqitje të dheut ka edhe në rrugën Tetovë – Banja e Qytetit, ku në mungesë të murit mbrojtës, është bllokuar rruga një pjesë e re. Gjendja është e njëjtë edhe në fshatin Reçicë e Vogël, ku rrugën 172 është dëmtuar dhe ngelet e pakalueshme, ndërkaq nga reshjet e mëdha është bllokuar edhe kanali i ujit.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës, kumton se, prej dje po punohet që të pastrohen rrugët dhe të sanohet sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimit, që u paraqitën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Ekipet e NPK Tetova – Tetovë gjatë pasdites kanë punuar në sanimin e dy defekteve në linjën kryesore të ujësjellësit të qytetit, edhe atë në burimet e Vakëfit dhe në Leshinicë, që kishin si pasojë reduktimin e konsiderueshëm të sasisë së ujit në qytet. Gjatë ditës së sotme është mënjanuar plotësisht defekti në burimin Leshnicë, kurse në burimin e Vakëfit do të punohet edhe gjatë ditës së nesërme. Me reduktimin e sasisë së furnizimit me ujë të pijshëm në qytet, NPK Tetova ka aktivizuar 2 bunarët brenda qytetit, me çka deri diku u normalizua sasia e ujit të pijshëm në sistemin e ujësjellësit të Tetovës, e cila për momentin arrin 300L/sekondë. Gjithashtu është bërë pastrimi dhe intervenimi në rrjetin e kanalizimeve atmosferike në rrugët: Jane Sandanski, rruga 144, Blloku 70, rruga 151, shkolla e mesme “8 Shtatori”, sh.f Goce Delçev, rruga K.J Pitu, rruga e Shtipit, Bllokj 82, Boris Kidriç, pjesa e bulevardit “Bllagoja Toska” tek Kazerma e Qytetit, si dhe nënkalimi i rrugës Tetovë-Falisht, i cili nga pasditja është plotësisht i kalueshëm”, informojnë nga Komuna e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button