Shtohet optimizmi në zgjidhjen e emrit

Pas vizitës së negociatorit Metju Nimic në Athinë dhe në Shkup.

Vizita e ndërmjetësuesit të OKB-së Metju Nimic në Greqi dhe në Maqedoni ka shtuar optimizmin e zgjidhjes së emrit të vendit tonë. Në takimet e tij këtë javë me të gjithë spektrin politik të të dyja shteteve ka gjetur gadishmërinë për kompromis. Ky kompromis, kohë më parë qe promovuar në takimin e dy kryeministrave të të dyja vendeve, Zoran Zaev dhe Aleksas Cipras në Davos të Zvicrës, ku ata siguruan gadishmërinë për zgjidhjen e problemit që i tangon keto dy vende tash e më shumë se dy dekada. Menjëherë pas këtij takimi të nivelit të lartë u intensifikuan aktivitetet diplomatike që njohën takime të ministrave të jashtëm, takime me ndërmjetësin Nimic, të debateve nëpër mediume, por shkaktuan edhe reagime popullore përmes demonstratave, si ato në Selanik dhe në Athinë.

Një qëndrim të këtillë, ai e mbrojti edhe në deklaratën që e dha për Euronews në gjuhën greke se, “çështja e identitetit është shumë e rëndësishme për fqinjit tuaj verior, ndërkaq negociatat zhvillohen për emrin e shtetit. Emri i shtetit nuk duhet të ndikoj në identitetit të qytetarëve. Unë besoj se është e mundshme zgjidhja e emrit që do t’i kënaq të dyja shtetet.”

Ndërmjetësi Nimic u takua në Athinë me ministrin e Punëve të Jashtme greke Nikos Kotcias dhe udhëheqës të opozitës greke. Si negociatorë i zgjidhjes së kontestit, ai ofroi një sërë propozimesh për emrin, i cili duhet të jetë i përbërë dhe të përmbajë termin antik Maqedoni, me çka do të ruhet identiteti i popullit sllav që jeton në Maqedoni. Ai nga Athina erdhi në Shkup me optimizmin se gjerat janë në rrugë të mbarë për tu zgjidhë. Vizita e Nimicit në Athinë nxori qëndrimin grek, se emri Maqedoni është i pranueshme për ta.

Ky mesazh dakordimi është i lexueshëm edhe nga analistët politik dhe nga qytetarët. Analisti Peter Arsovski, për MTV2 tha, se “rreth përmbajtjes së mundësisë së zgjidhjes po afrohen qëndrimet. Greqia është tërhequr nga pozicioni se, fjala Maqedoni nuk mund të paraqitet në propozime, ndërsa ne kemi pranuar një pozicion, se ndonjë referencë do të ketë”.

Mirëpo, opozita greke dhe Kisha ortodokse greke nuk është e pajtimit që emri Maqedoni të qëndroj në çfardo propozimi për emrin. Kështu, ata, në Selanik mbajtën një protestë të madhe, ku theksuan se “Maqedonia është Greqi” dhe se, ajo nuk duhet ta identifikojë popullin dhe shtetin e fqinjit të tyre verior. Ndërkaq,mediumet e ndryshme, është paralajmëruar për neser një protestë edhe më e madhe në Athinë, ku pritet që numri i pjesmarrësve të jetë shumëfish më i lartë. Ky është një tregues se konsesusi i brendshëm në Greqi është i vështirë, pra nuk ekziston. Pala greke është shprehur kundër një referendumi, që për palën maqedonase ai është i dëshirueshëm.

Kështu kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, në TV bullgar NOVA shprehet se, “Referendumi duhet të shërbejë si një garanci shtesë për miqtë tanë grekë, sepse do të heqë të gjitha dyshimet, ndërkohë që edhe në nivelin kombëtar, pas zgjidhjes do të jenë qytetarët. Jam i bindur që të gjithë maqedonasit janë të përgatitur për këtë. Megjithatë, ne jemi në mes të negociatave dhe shpresoj se zgjidhja do të ruajë dinjitetin e qytetarëve maqedonas dhe atyre grekë.” Ai është optimistë në zgjidhjen e kontestit, kur thotë se, “shpresoj se do të arrijmë në një zgjidhje, e cila do të pranohet nga të dyja palët”

Të dy palët si ajo greke ashtu edhe ajo maqedone, në njërën apo tjetrën mënyrë theksojnë se, qershori është data kur palët do të arrijnë marrëveshje për emrin me qëllim që Maqedonia të kap hapin e integrimeve euroatlantike.

Kështu, kryetari Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, në portalin “Nju Europjan Balkans” u shpreh se, Ish Republika Jugoslave e Maqedonisë ka arritë përparim të konsiderueshëm dhe unë jam optimist në lidhje me dy çështjet; kontestin e emrit dhe me mundësinë që së shpejti ajo t’i hap bisedimet me Bashkimin Evropian. Ndërkaq, në qershor do të mbahet Këshilli Verioatlantik i NATO-s, ku pritet Maqedonia të ftohet që t’i bashkohet kësaj aleance perendimore ushtarake.

Edhe faktori ndërkombëtar punon në atë drejtim. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në emisionin debatues “Top tema” në televizionin Telma njoftoi se, së shpejti vjen në Maqedoni, kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, për të nxitë reformat pasi që është i bindur se, “Maqedonia do të jetë pjesë e dokumentit strategjik të KE-së për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor, që javën e ardhshme duhet të publikohet në Bruksel dhe në Samitin e qershorit do të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim”.

Të gjitha takimet me drejtuesit e shtetit tonë, ndërmjetësuesi Metju Nimic, paraqiti propozimet e tij dhe solli optimizmin e mundësisë së zgjidhjes së kontekstit, ku nga pala greke ka marrë garanci se identiteti maqedonas nuk do të vehen në dyshim dhe se shteti do ta mbajë emrin Maqedoni.

Për qytetarët e Maqedonisë, po troket gjithënjë e më shumë, një shpresë për një një jetë më të begatë dhe më të sigurtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button