fbpx

Kapet në Janinë 24-vjeçarja shqiptare me 111 kg marihuanë

Rreth 111 kg marihuanë u sekuestrua pasditen e djeshme në thellësi të territorit grek, në përpjekje për t’u trafikuar në Athinë.

 Burimet policore të Janinës, bënë të ditur se është arrestuar një 24-vjeçare shqiptare, e cila ishte drejtuese e automjetit që transportonte lëndën narkotike, ndërkohë që dy të tjerë janë në kërkim. E gjithë sasia e marihuanës është kapur në 3 km thellësi të vijës kufitare, në aksin nacional Kefalovris-Janinë, ku automjeti i drejtuar nga 24-vjeçarja me inicialet S.C., që dyshohet si banuese në Gjirokastër, ishte vënë në ndjekje nga policia.

 Këta të fundit kishin marrë informacion përmes kanaleve të sigurisë, nga Sektori i Luftës Kundër Narkotikeve në Policinë e Gjirokastrës për ekzistencën e qarkullimit të një sasie të konsiderueshme marijuane nga Lazarati, në drejtim të Greqisë. Policia e Gjirokastrës kishte rënë më parë në gjurmë të anëtarëve të “Bandës së kokrruarve”, por lejuan vazhdimin e operacionit trafikues në drejtim të Greqisë, me qëllim identifikimin e anëtarëve të tjerë të këtij grupi trafikantësh, të cilët, sipas Policisë greke, janë të identifikuar të gjithë.

Policia i ka quajtur “Banda e kokërruarve”, duke qene se të gjithë anëtarët e këtij rrjeti janë me kokë të qethur shumë shkurt. Mësohet se mjeti ka marrë sasinë e marihuanës përmes kufirit të gjelbër me Shqipërinë dhe më pas ka udhëtuar drejt Jugut. Në automjet udhëtonte e vetme 24-vjeçarja.

Kontrolli i kryer zbuloi katër çanta me 101 pako të mbushura me marihuanë të presuar me sasi totale 111 kg. Sipas Policisë së Janinës, e arrestuara është pjesë e bandës, ku më 28 maj të këtij viti trafikoi 107 kg marjuanë, sasi e kapur në kufirin mes Gjirokastrës dhe Janinës, si dhe e trafikimit të 112 kg marihuanë e kultivuar në Lazarat, që u kap po në afërsi të Janinës më 23 maj të po këtij viti.

Gjatë këtij operacioni u kap një 27-vjeçar shqiptar nga Fieri, Selim T. Policia e Janinës është vënë në kërkim të dy anëtarëve të tjerë të trafikut, të cilët vlerësohen si mjaft të rrezikshëm pasi janë të pajisur me armë neuroparalizuese dhe armë zjarri.

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close