Nën hetim pedagogia, u mori ryshfet studentëve për provimin

Policia e Korçës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj një pedagoge të fakultetit të Infermierisë në Universitetin “Fan Noli”, pasi akuzohet për marrje ryshfeti nga studentët në këmbim të marrjes së provimeve. Hetimi ndaj 45-vjeçares Elda Nuni ka nisur pas denoncimit të disa studentëve.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës pohojnë se pas kallëzimit të bërë nga të rinjtë, është ushtruar kontroll në banesën e pedagoges, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 46 mijë lekë të futura në disa zarfe. Mësohet se në zarfe ishin shkruar inicialet e studentëve që dyshohet se kanë paguar nën dorë pedagogen e Infermierisë për të marrë provimin.

Policia ka marrë në pyetje 15 studentë në lidhje me zbardhjen e ngjarjes. Studentët e vitit të parë të Infermierisë kanë deklaruar se sot kanë provimin e histologjisë dhe se Elda Nuni u kishte kërkuar indirekt që të paguanin nga 5 mijë lekë për t’a marrë atë. Disa prej studentëve kanë bërë zarfet gati dhe ia kanë dërguar nënës së pedagoges, e cila dyshohet të ishte ndërmjetëse për marrjen e parave.

“Duam një sistem arsimor pa ryshfete. Pedagogia e lëndës së histologjisë na kërkoi para, ndaj
unë dhe studentë të tjerë dorëzuam të dielën zarfet me inicialet tona. Paratë tona i mori një grua e moshuar. Na ka ardhur në majë të hundës, ndaj vendosëm ta denonconin Elda Nunin. Me atë kemi dhe provime të tjera, ndaj nuk kemi mundësi që të paguajmë për çdo provim”, – ka thënë në polici një studente 19-vjeçare nga një fshat i thellë i Korçës.

Ndërkohë, policia e Korçës ka vënë nën hetim dhe nënën e 45-vjeçares Nuni. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, rektori i universitetit “Fan Noli”, Gjergji Mero deklaroi se presin rezultatet përfundimtare të hetimit për të marrë masa konkrete ndaj pedagoges. “Kemi kontaktuar me policinë, dhe na është thënë se procesi i hetimit vazhdon. Natyrisht ne do të jemi në pritje të rezultateve përfundimtare që të arrijmë në masa konkrete. Nëse pedagogia ka marrë ryshfet, do të pezullohet nga puna”, – pohoi Mero./GazetaShqiptare/

Lajme të ngjashme

Back to top button