Botoksi dhe efektet anësore të tij

Botoksi është metoda më e famshme kundër rrudhave në botë. Shumë gra e duan, të tjerat i tremben. Sot, shumë studime deklarojnë që toksina botulinike është tashmë e sigurt. Le të shohim përse.
 
Që kur ka nisur përdorimi për arsye estetike, reagimet që ka sjellë toksina botulinike kanë qenë nga më të kundërtat: disa e duan, disa i druhen, disa janë pro dhe disa janë kundra. Për fat, literatura tashmë voluminoze mbi botoksin  është pasuruar me dy studime që hedhin dritë mbi të vërtetën dhe bëjnë të mundur që të gjejmë përgjigje për pyetjet kyç të lidhura me sigurinë e metodës antirrudhë më shumë të diskutuar në botë.

Toksina botulinike është helmuese?

Emri toksinë nuk  duhet të na çojë në ide të gabuar: bëhet fjalë për një ilaç që përdoret në mjekësi prej 30 vitesh, që është aprovuar nga FDA (Food and Drug Administration) amerikane që në 1969-ën dhe mbështetet nga përvoja klinike e 77 vendeve të botës. Dobia në fushën estetike është zbuluar duke vëzhguar përmirësimin e rrudhave në mes të vetullave në pacientët që kuroheshin për një sëmundje neurologjike: blefarospazmën.

E paralizon shprehjen e fytyrës?

E gjitha varet nga zotësia e mjekut: specialisti ekspert arrin neuromodulimin pa bllokuar mimikën. Për ta arritur, duhet të njohë ndërtimin e fytyrës, të gjejë vendet e injeksioneve, të zgjedhë toksinën e përshtatshme dhe dozën e duhur që do përdoret. Duhen shmangur produktet false, mjekët që ofrojnë çmime të ulëta dhe imitimet që shiten në internet: për të qenë të sigurta më mirë të pyesësh mjekun çfarë lloji të përdorësh.

Mund të migrojë e të shkojë në tru?

Studimi që bëri të shpërthente këtë dyshim, u bë disa vite më parë te minjtë (të cilët kanë një sistem transmetimi të impulseve në tru të ndryshëm nga ai i yni) duke përdorur doza të ilaçit 2500 herë më të mëdha se ato që përdoren në mjekësinë estetike. Sot, një kërkim i ri i realizuar mbi njerëzit dhe i publikuar në Biochemical Journal , tregon që nuk ka rrezik migrimi nga një vend në tjetrin të botoksit, te qeniet njerëzore!

Ka efekte të padëshiruara pas një periudhe të gjatë kohe?

Në fushën e terapisë, 133 studime të realizuara në 14 vite kanë treguar sigurinë e ilaçit në periudhë të gjatë. Edhe në fushën e mjekësisë, toksina ka dalë një nga trajtimet më të sigurta, me 10 milionë ampula të përdorura në botë vetëm gjatë një viti. Një studim i publikuar në Journal of the American Academy of Dermatology që është bërë për 9 vjet te 1678 pacientë, ka treguar që efektet e mundshme të padëshiruara (si edema të qepallave të syve) ndodhin në një përqindje shumë të ulët, në 0,05 % të rasteve.

Fryhet fytyra kur mbushen rrudhat?

Jo, përgjigjen specialistët. Toksina nuk mbush rrudhat, por rrafshon ato në mes të vetullave, vijat horizontale të ballit, rrudhat “gërshërë” në cepat e jashtëm të syve. Përveç efektit të menjëhershëm (rezultatit arrihet në 3-6 ditë), me kohë provokon një humbje të “kujtesës së rrudhës”: pacientja që e rrudhos ballin, humb impulsin për ta bërë këtë.

Si vepron?

I injektuar në doza të vogla në muskujt e lëkurës (ata që përcaktojnë ndryshimin e shprehjes), vepron mbi dy elemente të angazhuar në përcjelljen e impulseve nervore: proteina SNAP-25 dhe acetilkolina. Shtrirja e rrudhave ndodh si pasojë e shtendosjes: fibrat muskulore shtrihen dhe arrihet një reduktim i rrudhave.

Në ç’moshë mund të përdoret?

Ato që kanë mimikë të theksuar dhe/ose tentojnë të rrudhin ballin mund të fillojnë që në moshën 30 vjeç, ndërsa pas moshës 65 vjeç, lëkura ndahet nga muskujt dhe nuk ka kuptim përdorimi i një ilaçi që vepron pikërisht te muskujt.

Ka efekte anësore?

Injeksioni mund të provokojë hematoma fare të vogla, dhembje të lehta në zonë, dhembje të lehta koke. Nuk duhet ta ngacmosh zonën e trajtuar për 24 orë dhe të qëndrosh në pozicion vertikal për 4 orë që të shmangësh rrezikun e shpërndarjes së toksinës drejt pjesës së brendshme të qepallës së syve. Siç ndodh me shumicën e ilaçeve, edhe ky nuk duhet përdorur gjatë ushqimit me gji të fëmijës dhe shtatzënisë. 

Sa trajtime mund të bëhen?

Që mos të humbasë efekti i rrafshimit të rrudhave është e nevojshme të përsëritet trajtimi çdo katër muaj. Varet shumë edhe nga zgjedhja e llojit të duhur të toksinës apo sasia. Studime klinike, kanë treguar që shtrirja në kohë e rezultateve mund të dyfishohet: te 31% e pacienteve zgjatet nga 4 në 6 muaj dhe te disa arrin deri në 8. “Edhe në këtë rast është personalizimi që bën diferencën: përdorimi i produktit më të përshtatshëm lejon specialistin të arrijë rezultate optimale estetike me dy trajtime në vit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button