Talat Xhaferi: BDI përgatit propozim ligjin për të persekutuarit politik

BDI tashmë ka kryer të gjitha përgatitjet dhe së shpejti do të prezantojë para shumicës parlamentare propozim-ligjin për dëmshpërblimin e të burgosurve, të përndjekurve dhe të diferencuarve ideo-politikë shqiptarë gjatë ish sistemit komunist. Kështu u shpreh deputeti i BDI-së Talat Xhaferi për Portalb, duke komentuar protestat e ditës së enjte të organizuara nga Shoqata e të Persekutuarve politikë, Shoqata e Historianëve, Shoqata e Arsimtarëve dhe disa dhjetra shoqata të tjera.

“Protesta është çështje legjitime dhe nëse qëllimi është të miratohet ligji atëherë publiku duhet ta dijë se së shpejti BDI do të del me propozim-ligj për dëmshpërblimin e tyre. Shoqata e të persekutuarve politikë tani më është e njoftuar sepse kemi pasur takime me to 80% e dispozitave që ne i propozojmë janë të pajtueshme me to dhe ato e dinë se ne jemi në proces të krijimit të propozim-ligjit” tha Xhaferi.

Nga ana tjetër, Shpëtim Pollozhani nga Shoqata e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë në Maqedoni tha se nga takimet e bëra me përfaqësuesit e BDI-së nuk ka dalë i kënaqur nga ajo që e kanë ofruar ata dhe derisa të miratohet një ligj i mirëfilltë ata do të protestojnë.

“Ne jemi në pritje të një ligji i cili do të jetë në pajtim me kërkesat tona si dhe do të merr aminin e ndërkombëtarëve. Deri sa nuk e shohim një ligj të tilllë nuk do jemi të kënaqur dhe do të vazhdojmë ta aktualizojmë këtë çështje” tha për Portalb Pollozhani.

ShBPPSH të enjten bën thirrje për protesta para Qeverisë më 7 qershor me moton Për Dinjitet, vlera Europiane dhe Bashkim”.

Kjo shoqatë kërkon miratim të ligjit për dëmshpërblimin e të burgosurve, të përndjekurve dhe të diferencuarve ideo-politikë shqiptarë gjatë ish sistemit komunist.

“Që nga viti 2005,Shoqata përgatiti një Propozim Ligj për zhdëmtim dhe kompensim për të gjithë të burgosurit, të persekutuarit dhe të dëmtuarit politik që nga viti 1944-1991, por ai ende nuk është pranuar” thonë nga ShBPPSH. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button