Kumanovë, hapet konkurs për sipërfaqe bujqësore me koncesion

Njësia rajonale e Ministrisë së bujqësisë në Kumanovë, ka shpallur konkursin për ndarjen e tokës bujqësore në sipërfaqet kadastrale të Kumanovës, që përfshin edhe rajonin e Likovës dhe Nagoriçit.

“Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe e ekonomisë së ujërave ka hapur konkurs publik për dhënien me qira të tokës bujqësore në sipërfaqe prej më tepër se 10 hektarë. Ky konkurs do të jetë konkurs komercial ku të drejtë konkurrimi do të kenë të gjithë personat si ata fizik po ashtu edhe ata juridik e posaçërisht ata nga jashtë, respektivisht investitorët e huaj, mirëpo me kusht që personat nga jashtë të kenë të regjistruar ndonjë filialë në Republikën e Maqedonisë.

Gjithsej do të ndahen 1.127 hektarë, në 12 pjesë kadastrale të Kumanovës, Nagoricit të Vjetër dhe Likovës. Pjesa më e madhe do të jepet në Komunën e Kumanovës dhe Nagoricit të Vjetër kurse një pjesë shumë e vogël do të jepet në Komunën e Likovës. Personat që konkurrojnë duhet ti plotësojnë disa kushte dhe kritere më specifike. Konkursi është hapur nga data 2 qershor I këtij viti dhe do të zgjas 30 ditë duke përfshirë këtu edhe vikendet”, deklaroi Skender Aliu nga Njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Kumanovë.

Ai gjithashtu na njoftoi se tokat të cilat jepen me koncesion do të jepen për një periudhë prej 15 vitesh për kultura drithërore dhe bimore, kurse për kulturat pemëtare dhe vreshtarë, do të jepen për periudhë prej 30 vitesh./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button