Java e Sundimit të së Drejtës në Tetovë

Këndi Amerikan në Tetovë në mbështetje të Ambasadës Amerikane organizon Javën e Sundimit të Ligjit me një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen duke përfshirë grup mosha të ndryshme. Forum me panelistë nga institucione të ndryshme, turne në futboll të vogël, trajnime, prezantime si dhe debate.

“Jemi përpjekur që të motivojmë sa më shumë njerëz të profileve dhe moshave të ndryshme për ti dhënë një peshë të merituar Sundimit të së Drejtës. Gjatë kësaj jave do të munden të debatohen, diskutohen elemente të ndryshme të kësaj tematike. Kemi ftuar krahas intelektualëve, përfaqësueseve të sektorit civil, të institucioneve të shtetit, të organizatave të huaja si edhe dashamirët e sportit për të kontribuar në sundimin e së drejtës” tha Gëzim Sulejmani, koordinator i Këndit Amerikan në Tetovë duke sqaruar se të enjten do të zhvillohet turneu në futboll të vogël ku 16 ekipe, përfaqësues të partive politike, shoqatave civile, mediave dhe të institucioneve arsimore do të garojnë në moton “300 minuta sfidë në Sundim të ligjit”.

Ndërkohë të premten do të zhvillohet një forum debativ me panelist nga Ambasada Amerikane, Ministria e Drejtësisë, shoqërisë civile, Avokati i Populli si dhe publicist e qytetarë.

Të martën do të organizohet një bashkëbisedim me qytetarët në Këndin Amerikan në lidhje me “luftimin e dukurive negative dhe respektimi i ligjit”. Të shtunën e kaluar këto aktivitete kanë filluar me punëtorinë “Rinia dhe ligjet” që është udhëhequr nga Marisa Maclsaac, nga Ambasada Amerikane. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button