Polisi: Është ushtruar trysni mbi Myftininë e Strugës

Struktura të caktuara shtetërore, politike e fetare kanë ushtruar trysni mbi Myftininë e BFI-së në Strugë, duke mos mundur ta durojnë punën dhe aktivitetet tona, akuzoi sot Myftiu i shkarkuar i Strugës, Ferat Polisi.

Kryesia e BFI-së në Shkup, në seancë të jashtëzakonshme dje pas 12 viteve në krye të Myftinisë së Strugës, e shkarkoi Polisin, pas rrënimit të një pjese të Xhamisë pesë shekullore Mustafa Çelebi në Strugë.

 “Ndikimi ynë ka qenë aq i madh, saqë Myftinia u bë një lloj mos të them politike por diçka rreth së cilës mblidheshin shumë njerëz. Ne ishim si një lëvizje. Dhe kjo si duket i pengonte dikujt. Unë e kam patjetër të punoj me ata që janë në Qeveri. Duhet të punoj me ata që japin leje. Unë deri dje punoja me PDSH, sepse ato ishin në Qeveri, tash është Ramiz Merko, dhe punoj me të” – tha Ferat Polisi.

Ai gjithashtu tha se në Strugë nuk ka islam radikal.
“Në Strugë nuk ka vehabistë, radikalistë, ekstremistë. Në Strugë ka vetëm besimtarë të mirë. Në punën time 12 vjeçare nuk jam ballafaquar me probleme të tilla” – tha Polisi.

Myfti i ri me vendim të BFI-së, në Strugë është emëruar Salim Sulejmani./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button