Strugë – Ardian Demiri, Kryetar i Degës së RDK-së

Në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës, Rilindja Demokratike Kombëtare mbajti Kuvendin themelues të Degës së Strugës, në të cilin 63 kuvendarët e pranishëm zgjodhën Kryesinë 21 anëtarëshe të Degës dhe Kryetarin e saj, avokatin Ardian Demiri.

Përveç kuvendarëve dhe të ftuarve të tjerë, në këtë kuvend morën pjesë edhe Kryetari i RDK-së Prof. Rufi Osmani, deputeti Prof. Izet Zeqiri dhe Kryetarët e Degëve të RDK-së në Tetovë dhe Gostivar, Hamdi Saidi dhe Afrim Iljazi.

Punimet e Kuvendit filluan me një minutë heshtje, në nderim të aktivistit të RDK-së dhe bartësit të listës për njësinë zgjedhore nr. 5, në zgjedhjet e fundit parlamentare, Z. Riza Istrefi, i cili ndërroi jetë kohë më parë.

Në fjalën e tij si kryetar i porsazgjedhur i degës së RDK-së, Ardian Demiri shpalosi planet e tij për zgjerimin dhe shtrirjen e RDK-së në Strugë dhe rrethinën e saj, duke krijuar strukturat përkatëse, si edhe vizionin e tij për përmirësimin e gjendjes së mjeruar të shqiptarëve në Strugë dhe në Maqedoni në përgjithësi.

Ai ju bëri thirrje të gjithëve që të mos qëndrojë anash, por të marrin përsipër angazhimet dhe përgjegjësinë që ju takon, si pjesëtarë të kësaj shoqërie dhe të kontribuojnë në përmirësimin e kësaj gjendje, e cila siç u shpreh ai, është produkt i simbiozës mes indiferentizimit dhe injorancës në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve në Maqedoni. 

Marrë nga rdk.org.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button