Banka botërore: Ballkani perëndimor me rënie të theksuar të rritjes ekonomike

Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia dhe Mali i zi ballafaqohen me rënie të theksuar të rritjes ekonomike për shkak pasigurisë çdo ditë e më të madhe në Eurozonë, thuhet në raportin që sot e publikoi Banka Botërore. 

Gjashtë vendet e përmendura kanë shkallë të lartë të papunësisë, ndërsa rasti më i keq është Maqedonia me mbi 33 për qind të papunë, ndërsa këto vende gjithashtu kanë gjendje të rëndë sociale, ndërsa në tërësi, ato përbëjnë rajonin më të varfër në Evropë, thuhet në raport.

Gjatë periudhës dyvjeçare të rimëkëmbjes ekonomike 2010-2011 këto shtete kishin rritje të vogël dhe pa vende të reja pune, kanë ndërprerë rritjen e varfërisë , por klasa e mesme është edhe më e ndjeshme.

Në raport u rekomandohet këtyre vendeve që të zbatojnë konsolidim të qëndrueshëm fiskal që të ndërpritet  dinamika e këtillë e papërshtatshme e borxheve dhe të vendoset bazë për një rritje afatgjate ekonomike me dinamike.

Zheljko Bogetiç, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin perëndimor dhe autor i Raportit, tha se vendet e rajonit ballafaqohen me një agjendë të gjerë të reformave strukturore që kanë për qëllim përmirësimin e produktivitetit  dhe konkurrencës  si dhe  të reformimit të tregjeve të tyre të punës dhe sektorëve publike.

‘Që nga rritja prej 2.2 për qind  në vitin 2011-të, treguesit e parë janë se gjashtë vendet e Evropës juglindore janë duke u ballafaquar me një ngecje të zhvillimit ekonomik deri 1.1 për qind në vitin 2012-të’ tha Bogetiç.

Përmirësim të prodhimit të përgjithshëm shoqëror kanë shënuar Shqipëria, Kosova dhe Maqedoni, ku veçohet si më e mira Shqipëria për shkak të investimeve të huaja direkte, ndërsa ngecje ësht shënuar në Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi. 

Bogetiç paralajmëroi se megjithatë edhe shifra prej 1.1 për qind rritje, mund të mos realizohet, dhe kjo për shkak të krizës greke e cila do të ndikoj drejtpërdrejt në nivelin e rritjes ekonomike të rajonit.

‘Është me rëndësi se ky projeksion bazë paraqet zgjidhje adekuate të krizës greke pa turbulenca dhe kufizim të shpërndarjes së saj, dhe pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e përforcimit të mekanizmave mbrojtëse fiskale dhe financiare tek të gjitha këto vende’, tha Bogetiç. 

Banka botërore përshëndeti masat e fundit që i ndërmori qeveria për hapjen e vendeve të reja të punës, dhe përshëndeti politikat fiskale të qeverisë, borxhin e ulët të jashtëm dhe investimet kapitale./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button