Bexheti: Ne nuk kemi shkopin magjik për të zgjidhur problemet në ASHAM

Eksperti i çështjeve ekonomike dhe anëtari më i ri shqiptar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë Abdylmenaf Bexheti thekson se akademikët shqiptarë nuk mund që “gjatë natës” t’i zgjidhin problemet në shoqëri.

“Do të kemi një detyrim shtesë, por jo në kuptimin që do kemi shkopin magjik për të zgjidhë shumë çështje. Ky institucion nuk mund t’i zgjidh problemet e përditshme, janë institucionet tjera që duhet të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e atyre problemeve” – theksoi sot Abdylmenaf Bexheti pas prezantimit të akademikëve të rinj sot në ASHAM.

Ai gjithashtu foli edhe për enciklopedinë, si problematikë e pashmangshme e ASHAM.

“Nuk do të anashkalojmë problemin e enciklopedisë, do të mundohemi të japim kontribut. Në procesin e reformave të sapofilluara në Akademi është edhe dimensioni i enciklopedisë. Pritjet e mija për këtë çështje janë më tepër racionale se sa optimistike” – pranon akademiku i ri.

Kjo është hera e dytë që ai ishte në votim për t’u bërë anëtar i plotë i Akademisë, ndërsa mbrëmë u bë vetëm anëtari i tretë i plotë aktual me përkatësi etnike shqiptare.

 “Edhe herën e parë kur kam kandiduar para tre vitesh lutja ime ka qenë që së paku në përzgjedhjen time të mos theksohet përkatësia kombëtare, dhe unë jam krenar se megjithatë kësaj radhe, me një kandidim nga brenda institucionit u realizua propozimi i njësisë përkatëse. Kjo na jep edhe një shpresë që gjërat kanë filluar të ndryshojnë me një proces, si me kryesinë e re të Akademisë, por edhe me një bashkëpunim më të avansuar.” – tha akademik Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button