Dora e zgjatur e Qeverisë në furnizimet publike

Furnizimet publike në Maqedoni janë tokë pjellore për keqpërdorime, ndërsa në to, nuk mungon dora e fshehtë e Qeverisë. Sipas raporteve të Entit shtetëror për revizion dhe vlerësimit të ekspertëve, mënyrat se si manipulohet me paratë publike janë të ndryshme: duke filluar nga Kontratat në katër sy me shtim të anekseve që shumëfish i rrisin çmimet e shërbimeve, kritere që favorizojnë ndonjërën prej kompanive, anulim të procedurave në rrethana të dyshimta.

Është fakt se askush nuk ndjek si harxhohen paratë publike ndërsa Parlamenti ka dy vite që ka ndaluar diskutimin publik për raportet e Entit shtetëror për revizion, institucion shtetëror ky i vetëm që konstaton shkelje të rënda. Por edhe përpos këtyre konstatimeve,  indikativ është fakti se të rralla kanë qenë rastet kur është ngritur procedurë penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të furnizimeve publike.

Kohëve të fundit është rritur vlera e tenderëve për të cilat kontrata lidhet në katër sy. Të dhënat nga Qendra për komunikime qytetare tregojnë se vetëm për vitin e kaluar vlera e marrëveshjeve në katër sy u rrit 50 për qind në krahasim me vitin 2010. Kontrata në këtë rast përmban Anekse të cilat qëllimin e kanë të  mbulojnë gjërat e paparashikuara në kontratë. Duke shtuar anekse për plotësimin e kërkesave të ndryshme gradualisht fryhet dhe shuma të cilën e merr kompania përkatëse.

Në zhargonin e ekspertëve kjo quhet “korrupsion legal” ndërsa shembull më eklatant është projektit Shkupi 2014 i cili përmendet dhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë.

Disa nga kontratat për punë nga projekti Shkupi 2014 u ndryshuan në raport me kriteret të cilat ishin dominuese në periudhën kur ato ndaheshin, duke u rritur shumat e pajtuara paraprakisht dhe rritjes së vëllimit të punës. Komisioni për Anti-korrupsion vërtetoi se fondet shtetërore shpeshherë keqpërdoren për fushata publike dhe materiali i shpenzuar dërgohet derisa tenderi përkatës ende ka qenë në rrjedhë e sipër. Realisht, nëse analizojmë të dhënat nga ueb faqja e Drejtorisë për furnizime publike, vërejmë anekse paradoksale që së bashku shumëfishojnë vlerën e marrëveshjes bazë. 

Për shembull, Muzeu i luftës maqedonase që duhej të kushtojë 4 milionë euro, ja çfarë ndodhi në katër vitet e fundit:

– Skena masive: 1.000.000 euro
– Korniza për piktura: 100.000 euro
– Figura dylli: 1.500.000 euro
– Projekt për mobile: 200.000 euro
– Mobile: 818.000 euro
– Ndriçim: 220.000 euro
– Rregullimi i enterierit: 2.300.000 euro

GJITHSEJ: 13.000.000 EURO

Të gjitha marrëveshjet për punët e paparashikuara janë nënshkruar me kompaninë Beton – Shtip, me të cilën është nënshkruar edhe marrëveshja bazë. Për tender nuk kishte nevojë pasi këto “punë të paparashikuara” nuk e kalonin shumën prej 30% të marrëveshjes bazë.

Teatri duhej të kushtonte 4,5 milionë euro por në fund kaloi shumën e 30.000.000 eurove. Si? Dolën edhe shtatë marrëveshje të reja për shpenzime plotësuese si shpenzime për instalime, për skulptura gjipsi, pajisje, ndriçim, punë mekanike, mbikëqyrje projektuesi … të gjitha këto kushtuan mbi 25.000.000 euro, kështu që i gjithë objekti kaloi shumën e 30.000.000 euro.

Ndërtesa e Filarmonisë duhej të kushtonte 5,8 milionë euro, por u bënë gjithsej 7.100.000 euro, dhe atë për:

– Shërbime projektuesish  50.000 euro
– Mbikëqyrje profesionale 130.000 euro
– Punë plotësuese 80.000 euro
– Projekt për matjen e akustikës 250.000 euro

Aktualisht për Shkupi 2014 të gjitha shpenzimet mbesin në korniza ligjore, pasi asnjë nga anekset nuk ka kaluar shumën e 30% nga marrëveshja bazë.  Pyetëm ekspertët, a jemi dëshmitarë të diçkaje që quhet “korrupsion legal”?

“Rregull themelore është se ligjet vlejnë njëjtë për të gjithë dhe duhet të ekzekutohen ashtu siç janë. Çdo aneks dhe çdo marrëveshje bazë duhet të shqyrtohen së bashku si një tërësi. Nëse kalohen cenzuset të dhëna në Ligjin për furnizime publike, institucionet duhet të reagojnë konkretisht” – shpjegon kryetarja e Transparency International, Slagjana Taseva.  (VIJON)

(Storja hulumtuese është mbështetur nga rrjeti gazetaresk hulumtues danez SCOOP)

Lajme të ngjashme

Back to top button