Dibër – Salla sportive u ndërtua, por ajo nuk u shfrytëzua

Edhe pse afro një vit kanë kaluar nga përfundimi i ndërtimit të sallës sportive të gjimnazit të Dibrës, ky objekt sportiv ende nuk shfrytëzohet nga ana e nxënësve. Nxënësit gjatë kësaj periudhe faktikisht nuk kanë mundur që orët e mësimit në lëndën e edukatës së fizikës, t’i realizojnë në sallën sportive, e cila u ndërtua në kuadër të projektit Qeveritar.

Sipas një sqarimi në lidhje me këtë problem që dha drejtori i gjimnazit Qamil Marku, në një takim në institucionet lokale, problemi qëndron tek mos realizimi i disa punimeve në sferën e infrastrukturës. Sipas Markut, janë bërë kërkesa për tejkalimin e problemit dhe mbarimin e punimeve, rreth kanalizimit, instalimeve të ujit dhe rregullimin e platos në afërsi të sallës. Por, problemi vazhdon të jetë prezent edhe këto ditë, edhe pse ka kaluar një vit nga solemniteti i hapjes së sallës sportive pranë kësaj shkolle të mesme komunale në Dibër.

Problemi në fjalë ka irituar mësimdhënësit në edukatën fizike dhe nxënësit . Të dy palët thonë se viti shkollor është duke përfunduar dhe orët në këtë lëndë nuk janë realizuar në kushtet që nevojiten edhe përkundrejt faktit që salla sportive është gati.

Salla sportive e cila sipas udhëheqësve të pushtetit vendor përveç nxënësve mund të shfrytëzohej edhe nga ana e klubeve sportive të ciët garojnë, ajo nuk u shfrytëzua as edhe nga klubet në fjalë. Problemi I mos shfrytëzimit u theksua disa herë nga udhëheqësia e gjimnazit të Dibrës. Klubet sportive nga ana tjetër duke marrë parasysh se në këtë moment sallat sportive në shkollat fillore as që nga afërmi nuk I plotësojnë kushtet për gara në basketboll, hendboll e tjerë, mundësinë për garime e shihnin në shfrytëzimin e sallës sportive në fjalë. Po ashtu duke marrë parasysh se salla e madhe e qytetit që financohet nga Unioni Europian, dhe  pushteti vendor i Dibrës është në fazën e ndërtimit, salla e gjimnazit do të ishte një vend i volitshëm për realizimin e garimit të klubeve sportive të Dibrës në ligat rajonale dhe Republikane sidomos në basketboll, sport i cili dallohet me aktivitetin e grupeve sportive të meshkujve dhe femrave.

Tani për tani ende nuk ka informata koncize se kur do të tejkalohen problemet në sferën e infrastrukturës të sallës sportive të re pranë gjimnazit. Deri sa pritet tejkalimi I problemeve, edhe një vit shkollor është duke u përfunduar. /dibra.us

Lajme të ngjashme

Back to top button