Mijëra amendamentet e VMRO-së, vetëm një mundësi mund ta “shpëtojë” Parlamentin e Maqedonisë nga bllokimi

Ekziston vetëm një mundësi që puna e Kuvendit të Maqedonisë mos bllokohet nga mijëra amendamentet e dorëzuara nga opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE për ligjin e gjuhëve, njofton Portalb.mk. Sipas ekspertëve, që mos të shkelet rregullorja si dhe nga ana tjetër mos të merret Kuvendi vetëm me një ligj dhe të neglizhojë ligjet tjera, seancat plenare mund të ndahen në dy pjesë. Në një pjesë të diskutohen amendamentet e ligjit dhe gjysmën tjetër të miratohen ligjet tjera duke pasur parasysh se faza e ardhshme gjashtëmujore është e rëndësishëm për Maqedoninë dhe priten të miratohen ligje të rëndësishme që përcaktojnë edhe fatin evro-atlantik të Maqedonisë.

LEXO: Ligji i gjuhëve, shmangie e plotësimit të tij apo bllokim i Kuvendit?!

“Mund të ju thotë që gjysmën e amendamenteve të largojnë, dhe të vendosin vetëm ato që janë thelbësore. Janë bisedime konkrete, nuk mund të dihet se si mund të rrjedhë situata. Nëse kjo nuk arrihet ka mundësi që Xhaferi në seancat e ardhshme, në gjysmën e tyre të diskutojë për ligjin e gjuhëve e në gjysmën tjetër për ligje që janë me rëndësi për reformat në gjyqësor dhe perspektivën e Maqedonisë”, tha për Portalb.mk, ish kryetari i Parlamentit Stojan Andov.

Andov hedh poshtë çfarëdo lloj mundësie tjetër që do të mund të mënjanonte amendamentet dhe të miratohej ligji i gjuhëve pa diskutim.

Ndërkaq profesori i juridikut, Bashkim Selmani për REL deklaroi se si opsion tjetër i shmangies së bllokadës kuvendore është ligji i gjuhëve të largohet nga rendi i ditës në Kuvendin e Maqedonisë.

“Mendoj se duhet të gjejnë ndonjë formë të përbashkët dhe besoj se ka mundësi procedurale për të bashkuar amendamentet. Si zgjidhje e shoh edhe mundësinë që për një kohë ky propozim të tërhiqet nga rendi i ditës”, tha Selmani.

Xhaferi mund ta shkel Rregulloren e Kuvendit

Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se nëse VMRO-DPMNE-ja nuk heq dorë nga amendamentet, kurse nuk shpreh vullnet as për konsensus politik, do të ndërmarrë hap tjetër duke mos specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Sipas ish kryeparlamentarit të Maqedonisë, Stojan Andov, Xhaferi mund ta shkelë rregulloren e Kuvendit.

“Hapi që duhet të merret nga Talat Xhaferi është jashtë çdo procedure kuvendare siç janë edhe 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së që janë jashtë çdo procedure”, tha Andov.

I nevojshëm të arrihet konsensus Xhaferi – VMRO

Kryeparlamentari Talat Xhaferi shprehu optimizëm se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të largohen nga amendamentet e propozuara dhe kërkoi që të ketë marrëveshje politike për ligjin e gjuhëve.

“Ato amendamente janë sjellë që të mos miratohet ligji. Ka formë procedurale, por qëllimi është politik. Kur flasim për procedurë, kishte amendamente në lexim të dytë. Këtu përdoret procedura që të bëhet politikë”, tha Xhaferi duke bërë thirrje që VMRO-DPMNE-ja të punojë për konsensus politik.

Në lidhje me këtë, ish kryeparlamentari Stojan Andov tha se konsensusi politik është joefikas, sepse duhet konsensus mes Xhaferit dhe VMRO-së.

“Kjo është në marrëveshje aty për aty që nuk ka shumë përmbajtje, dhe nuk ka as bazë juridike dhe themelore. Ajo çfarë thërret Xhaferi në konsensus, është e mirë por nuk është efikase. Tërë puna është operative, nuk është normative. Xhaferi duhet që publikisht t’i thërrasë në takim të veçantë që të arrihet marrëveshje”, tha Andov.

Sipas Andovit, “me amendamentet për ligjin e gjuhëve nga VMRO-DPMNE-ja dëshiron të marrë statusin se pa të nuk mundet që disa punë të kryhen në Maqedoni”.

“Por Xhaferi duhet  të përpiqet që të dëshmojë se është kryeparlamentar i të gjithë deputetëve, si i shumicës parlamentare, por edhe i opozitës”, tha Andov.

Përndryshe, mbi 35 mijë amandamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, kryeparlamentari Talat Xhaferi i cilësoi si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë e kurse deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Në takimin joformal me gazetarët, Xhaferi ligjin për përdorimin e gjuhëve e cilësoi si ligj tashmë të miratuar dhe tha se nuk mund të pranohen amendamente shtesë për shkak se kjo do të binte në kundërshtim me vetë Kuvendin i cili paraprakisht e kaloi në leximin e dytë. Kjo u hedh poshtë nga Dimovski i cili tha se vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se amendamentet duhet të diskutohen dhe të votohen.

Dje, në rend dite të seancës plenare u vendos ligji i gjuhëve për diskutim, por për shkak se mbi 35 mijë amandamentet nuk ishin të përkthyer, i njëjti u hoq nga rendi i ditës. Prej 35.000 amendamenteve të VMRO-DPMNE-së, janë përkthyer vetëm 17.000.

Nga ana tjetër faza e ardhshme gjashtëmujore është e rëndësishëm për Maqedoninë për shkak se në Kuvendin e Maqedonisë priten të miratohen ligje të rëndësishme që përcaktojnë edhe fatin evro-atlantik të Maqedonisë.

“Tani, po fillojmë fazën e 6 dhe 9, realizim të reformave thelbësore kryesisht në 3 shtylla, gjegjësisht në gjyqësor, shërbimet e inteligjencës dhe administratë publike. 6 javët janë përcaktues për 6 muaj e ardhshëm, ndërkaq 6 muajt e ardhshëm janë periudhë e artë për Maqedoninë”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani gjatë prezantimit të pjesës 6 të Planit 3-6-9 të Qeverisë së Maqedonisë.

Këto janë masat e reja të Qeverisë për 6 muajt e ardhshëm (DOKUMENT)

Ligjin e gjuhëve mund ta lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button