Agjencia për Rini dhe Sport ka pasur bashkëpunim të dobët me institucionet dhe organizatat rinore

Forumi Rinor Arsimor sot e ka prezantuar hulumtimin “Vëzhgimi i avancimit të punës së Agjencisë për Rini dhe Sport” me fokus të Agjencisë si bartës i krijimit dhe zbatimit të politikave rinore, njofton Portalb.mk.

Sipas hulumtimit, gjatë periudhës 2014-2016, bashkëpunimi mes Agjencisë për Rini dhe Sport (ARS) dhe institucioneve tjera ka qenë në nivel të ulët. Ka pasur pak projekte të përbashkëta dhe nuk është e rregulluar dokumentacioni i aktiviteteve. Agjencia ka pasur bashkëpunim konstant vetëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si dhe bashkëpunim të caktuar me Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Agjencisë për Punësim dhe Ministrisë së Kulturës. Me Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale nuk ka pasur bashkëpunim, ndërkaq Agjencia për Administratë dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk ka disponuar me informata për bashkëpunim me Agjencinë për Rini dhe Sport.

“Bashkëpunimi i ARS-së me organizatat rinore ka qenë i dobët. Në vitet e kaluara agjencia ka vepruar ndaras prej organizatave rinore dhe ka bashkëpunuar vetëm me një numër të vogël prej tyre. Prej vitit 2014 deri më 2016 ARS ka nënshkruar vetëm 11 memorandume me 6 organizata që është numër i vogël për periudhë prej 3 viteve. Gjegjësisht, ARS ndaj të rinjve dhe opinionin e gjerë ka kontribuuar që të perceptohet si “agjenci për sport”, e cila i mënjanon të rinjtë nga veprimtaria  e saj. Korniza juridike thuajse nuk ekziston. Përveç Strategjisë Nacionale për të Rinj, nuk ka akt juridik që i rregullon çështjet në fushën e “të rinjve”. Krijimi i ligjeve për të rinj ose ligjit për pjesëmarrje rinore është kyçe që të rregullohen hapësirat juridike, ndërkaq ARS të fitojë udhëzime të qarta që të mundet në mënyrë të suksesshme t’i plotësojë të gjitha qëllimet dhe prioritetet”, thuhet në hulumtim.

Sipas rekomandimeve të hulumtimit, ARS duhet ta përforcojë sektorin për të rinj, që ta revidojë strategjinë për të rinjtë dhe të fillojë proces kualitativ për krijimin e planeve aksionare për të rinj për vitet 2018-2019. Gjithashtu rekomandohet që, Agjencia të vendos edhe modele për përkrahjen e organizatave rinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button