Ja çfarë thotë ndërmjetësuesi për emrin e Maqedonisë, Nimic pas vizitës në Shkup (FOTO+VIDEO)

13:00 – Konferencë për shtyp Nimic – Dimitrov: Këto janë muajt kyç për zgjidhje!

Negociatori për çështjen e emrit, Methju Nimic pas takimit me shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov sot në Shkup tha se është optimist se mund të gjendet zgjidhje për kontestin e cila nuk do të rrezikonte identitetin e maqedonasve madje dhe do ta mbronte atë. Ai u shpreh se populli maqedonas nuk duhet të brengoset për “humbjen” e gjuhës dhe identitetin e tyre nëse arrihet marrëveshje me Greqinë, njofton Portalb.mk.

Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic

“Sapo erdha nga Athina duke i marrë qëndrimet e tyre. Ne po negociojmë për emrin e shtetit dhe jo për gjuhën dhe identitetin e maqedonasve. Tash është koha për zgjidhje, tash është momenti. E di që nuk është lehtë por më tutje do të bëhet më vështirë andaj këto muajt që vijnë janë kyçe. Nëse nuk arrijmë tani sukses, nuk e dimë se çfarë na pret më tutje. Do të ishte tragjedi e vërtetë nëse kjo çështje nuk zgjidhjet tani dhe zgjatet edhe 20 vite më tutje” tha Nimic.

Ai tha se në përgjithësi procesi po shkon përpara në të dyja vendet për të arritur një zgjidhje të problemit. Ka dallime në qëndrime por, sipas tij, ato mund të tejkalohen sepse siç përsëriti sërish, tani është koha e duhur për t’i lënë këto çështje pas dhe të dyja vendet të përparojnë.

Nga ana tjetër, Dimitrov tha se çështja e emrit është “e shenjtë” për popullin maqedonas dhe andaj ndiqet me shumë vëmendje dhe brengosje. Por, sipas tij, Qeveria ka shumë kujdes dhe dëshiron të zgjidh këtë çështje në mënyrë që edhe në Maqedonia edhe në Greqi të mos ketë pakënaqësi.

“Në shekullin 21 askush nuk ka të drejtë të më mohojë të drejtën time për të qenë maqedonas dhe të për të folur maqedonisht. Është me rëndësi se si sillemi në publik dhe çfarë flasim, posaçërisht kur flasim për linja të kuqe, sepse kjo e dëmton gjithë procesin që e udhëheq Nimici. Ne kemi vullnet dhe shpresojmë që edhe pala tjetër të ketë vullnet të njëjtë për të gjetur zgjidhje.” tha mes tjerash Dimitrov.

Ai tha se në asnjë mënyrë nuk negociohet për identitetin e vendit dhe se për këtë as që do të negociohet ndonjëherë sepse Qeveria apsolutisht nuk do të kishte negociuuar për këtë dhe nuk do të kishte zgjidhje.

“Kemi folur shumë detajisht dhe seriozisht për idetë që i ka sjellë Nimic. I thash që në propozimet e tij ka dhe ide që nuk janë të këqija por dhe ide që nuk janë dhe aq të mira.” tha Dimitrov.

Në pyetjet e gazetarëve “çfarë nëse nuk ka zgjidhje?” Nimic tha se nuk dëshiron të spekulojë dhe të mendojë për këtë opsion.

“Vërtetë besoj se jemi në një pikë ku të dyja palët kanë punuar shumë për të arritur zgjidhje. Do të theksoj që asgjë që vjen nga pala greke nuk e cenon identitetin e maqedonasve” thotë mes tjerash Nimic.

12:00 – Nimic në takim me Dimitrovin

Ndërmjetësuesi për çështjen e emrit, sot në mëngjes i ka filluar takimet me kreun shtetëror të Maqedonisë me rastin e vizitës së tij, njofton Portalb.mk.

Pas takimit me presidentin Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, tani është në takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Pas takimit me Dimitrovin, pritet që Nimic të ketë konferencë për shtyp.

11:00 – Zaev- Nimic: bisedime për çështjen e emrit vazhdojnë në nivel ministror

Në takimin mes ndërmjetësit të OKB-së, Methju Nimic dhe kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev është vendosur që procesi për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi të vazhdojë të udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara dhe se bisedimet Maqedoni – Greqi të udhëhiqen në nivel ministror, njofton Portalb.mk.

“Procesi vazhdon edhe më të tej të jetë nën udhëheqje të OKB-së dhe përfaqësuesit Nimic, dhe se bisedimet e ardhshme për zgjidhjen e problemit, pozitat lidere të grupeve ndërmjetësuese i marrin ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja shteteve”, njoftojnë nga kabineti i Zaevit.

Më tej në kumtesë thuhet se në takimin Zaev – Nimic është theksuar se në të dyja shtetet është krijuar moment pozitiv dhe se Maqedonia dhe Greqia janë duke dëshmuar se janë të përkushtuara për rritjen e mirëbesimit.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë takimit me ndërmjetësin Methju Nimic ka njoftuar këtë të fundit edhe për takimin e tij me homologun e tij grek, Aleksis Cipras në Davos për hapin e marrë, ndërrimin e emrit të autostradës dhe aeroportit, të cilësuar si dëshmi e ekzistimit të vullnetit të mirë për zgjidhjen e kontestit 25-vjeçar.

Në lidhje me takimin Zaev – Cipras në Davos, kryeministri i Maqedonisë njoftoi Nimicin edhe për homologun e tij grek, i cili ka vendosur që të zhbllokojë fazën e dytë të marrëveshjes për stabilizim dhe asociim, duke hapur rrugën që Maqedonia të bëhet anëtare e iniciativës jono-adriatike.

 

10:00 – Takimi Ivanov – Nimic: zgjidhja e emrit të mos cenojë identitetin maqedonas

Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi, Methju Nimic në takimin e parë të realizuar sot në Shkup, me kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka shprehur idetë, propozimet dhe përshtypjet e tija nga takimi në Athinë, njofton Portalb.mk.

“Është shqyrtuar gjendja aktuale e procesit i cili udhëhiqet nga OKB dhe janë shkëmbyer informata dhe mendime në lidhje me idetë dhe mendimet e përfaqësuesit special Nimic, si dhe përshtypjet e tija nga takimi në Athinë”, njoftuan nga kabineti i Ivanovit.

Në takim, kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i ka thënë Nimicit që zgjidhja e emrit të mos cenojnë identitetin kombëtar dhe shtetëror të Maqedonisë.

Siç njoftojnë nga Presidenca e Maqedonisë, Ivanov gjatë takimit ka potencuar se tejkalimi i dallimeve në lidhje me emrin mund të kërkohet vetëm në kuadër të OKB duke kërkuar respektim të kornizave paqësore ndërkombëtare.

Nimic - Ivanov

——————————————————————————————————————————————-

Në lidhje me ardhjen e ndërmjetësit për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi, Methju Nimic, njohësit e çështjeve politike thonë se në takimet e nesërme që do të realizohen me kreun shtetëror, pritet të bisedohet rreth detajeve të caktuara për kompromis mes dy shteteve.

Takimet nisin sot me fillim prej ora 10:00.

Në ora 10:00, takim me kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov në Vilën Vodno.
Në ora 11:00, takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev në objektin e Qeverisë së Maqedonisë.
Në ora 12:00, takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në objektin e MPJ-së. Pas këtij takimit vijon edhe konferencë për media.
Në ora 15:00, takim me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në ora 16:00, takim me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

LEXO: “Emri”, Nimic: Besoj se ka ardhur koha që të gjendet zgjidhje

Profesori universitar Mersel Bilalli për Portalb.mk  vlerëson se së shpejti do të kemi ndonjë qëndrim apo version final lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Mendoj se pozicionet dukshëm janë afruar, pra tani janë palët në fazën e krijimit të klimës së favorshme dhe të volitshme politike që të munden në mënyrë sa më të lehtë të zgjidhet problemi. Tani shpresoj të bisedohet për detaje pra të caktuara parimisht , pra palët janë marrë vesh se çka duhet bërë dhe mendoj se shumë shpejt do të kemi ndonjë qëndrim apo version final për të cilin palët do të duhet të deklarohen”, tha për Portalb, Bilalli.

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin thotë për Portalb.mk se Nimic në Shkup pritet të determinohen disa çështje të rëndësishme rreth asaj se cila është formula më e pranueshme për të zgjidhur çështjen e emrit.

“Duke pasur parasysh që ekziston atmosferë pozitive për tejkalimin e problemit e emrit me Greqinë,  i cili ekziston me dekada, për herë të para, pas shumë viteve ka optimizëm dhe nga ana e Shkupit edhe nga Athina si dhe  nga ana e Kombeve të Bashkuara. Në takimin e Nimic në Shkup pritet të determinohen disa çështje të rëndësishme rreth asaj se cila është formula më e pranueshme që është gjeja e parë, më pas si e dyta besoj që do të diskutohet se cila do të jetë procedura për atë formulë dhe nën tre  do të diskutohen afate, do të thonë për sa kohë do të përfundojnë realizimin këto formula, cilat janë pengesat më të lehta dhe më të rënda që duhet tejkaluar dhe në fund do të jepet një formulë definitive e cila do të zgjidhte problemin”, tha për Portalb, Ruzhin.

Ai shprehet optimist, duke thënë që nëse nuk del ndonjë gjë e papritur, çështja e emrit pritet të zgjidhet qysh në muajin shkurt apo më së voni mars të këtij viti.

“Të mos harrojmë që nuk bëhet fjalë vetëm për gjetjen e formulës së emrit por edhe të elementeve shtesë dhe këtu duhet të ketë vëmendje shtesë që të mos vjen deri te cenimi i çështjeve të identitetit dhe për këtë  të dy palët duhet të vërtetojnë se si do të vendosin për këto elemente, megjithatë mendoj se kjo u tejkalua në takimin në Davos nga ana e Zaevit dhe Cipras. Tani ka ngelur vetëm ana teknike, a do të ketë ndryshim të kushtetues apo jo, çka do të thotë ajo në çfarë mënyrë do të reflektonte, cilat janë garancitë e kështu me radhë. Do të thosha se jemi në fazën përfundimtare dhe optimist siç jam unë, mendoj se kjo çështje mund të zgjidhet që në shkurt  apo më së voni në mars, nëse nuk del ndonjë gjë e papritur”, shtoi Ruzhin.

Ndryshe, tani është koha e vërtetë që të zgjidhet kontesti 25 vjeçar për emrin dhe ka vullnet nga të dyja palët, deklaroi ndërmjetësuesi i OKB-së pas takimit në Athinë me shefin e diplomacisë greke, Nikos Koxias, njofton Portalb.mk.

Duke e vlerësuar takimin si konstruktiv, Nimic tha se Qeveria greke është e sinqertë dhe aktive në zgjidhjen e problemit.

“Ekzistojnë disa çështje të rënda, por mendoj se Athina dhe Shkupi, kanë vullnet të mirë që të mbyllen”, tha Nimic.

Edhe Kombet e Bashkuara thanë se mund të bëhet përparim në zgjidhjen e kontestit 26-vjeçar midis Athinës dhe Shkupitnë lidhje me emrin e Maqedonisë.

Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve se “ka pasur një moment pozitiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja” dhe se “zgjidhja mund të gjendet me frymën e duhur të kompromisit nga lidershipi dhe popujt e të dyja vendeve”.

Shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias ka konfirmuar se Greqia po përgatit marrëveshje me katër pika:

  • Propozimet për emrin, irredentizmin
  • Marrëdhëniet rajonale të Maqedonisë
  • Marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë
  • Masa për agjendë pozitive

Sipas Koxias, marrëveshja ende është në fazën e formulimit, fillimisht do të duhet të prezantohet në Qeverinë e Greqisë, ndërkaq më pas edhe në atë të Maqedonisë. Nëse e njëjta pranohet do të paraqesë bazë për zgjidhje ne problemit me emrin, ndërkaq duhet që të marrë dritë jeshile nga parlamentet e të dyja vendeve dhe njëkohësisht do ta hapë rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.

“Në këtë marrëveshje do të kyçen të gjitha temat që janë hapur në lidhje me emrin. Veçmas kapitulli për irredentizmin, por edhe për temat që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, të integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe agjendës pozitive, dhe mënyrën se si mund të zhvillohen marrëdhëniet tona”, ka dhënë Koxias, duke sqaruar se pala greke ende e përgatit draft marrëveshjen, ndërkaq pritet që nga mesi i muajit tjetër t’i dorëzohet Qeverisë së Maqedonisë.

Nimic i viziton dy vendet pas takimit të liderëve të shtunën në Shkup, në të cilën morën pjesë presidenti Gjorge Ivanov me dy përfaqësues të kabinetit të tij, kryeministri Zaev me ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, Radmilla Shekerinska dhe Nikolla Dimitrov, liderin e BDI-së me zv/kryeministrat Bujar Osmani dhe Hazbi Lika, si dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski me Vllado Misajllovskin dhe Aleksandar Nikollovskin.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev pas takimit pesë-orësh të kryesisë politike në vend, u shpreh se është optimist se mund të gjendet një konsensus kombëtar mbi mosmarrëveshjen e emrit, transmeton Portalb.mk.

“Ky ishte një takim informativ i ideve të propozuara të ndërmjetësit Matthew Nimetz. Ky proces kërkon përgjegjësi. Ne synojmë të sigurojmë progres dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Është e nevojshme të përfshihen të gjithë“, tha Zaev.

Për liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, ky takim koordinativ, ka qenë nja nga takimet më të frytshme lidhur me këtë çështje.

“Ky ishte një nga takimet me të frytshme. Ishim të informuar lidhur me takimin e Zaevit me Cipras. E vlerësoj dialogun për gjetjen e një zgjidhjeje. Ky është fillimi i përfundimit të një procesi për Maqedoninë. E rëndësishme është që të jemi pjesë e NATO-s në qetësi dhe stabilitet”, tha Ahmeti.

Presidenti Ivanov pas takimit gjithashtu deklaroi se ishte një takim informativ.

“Ky ishte një takim informativ, ku kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme na informuan lidhur me procesin e dialogut për zgjidhje e çështjes së emrit. Nuk mund te deklaroj me shumë detaje për atë se çfarë u bisedua, por jam realist me përvojë. Pres që Qeveria të na informoj lidhur me të gjitha aktivitetet lidhur me këtë çështje. Ky proces do të vazhdojë të jetë nën kornizat e Kombeve të Bashkuara. Për të mos pasur presione u pajtuam që të mos komentojmë për propozimin”, tha Ivanov.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski deklaroi se VMRO-DPMNE është përkrahës i anëtarësimit në NATO dhe në mbrojtje të interesave nacionale, ndërkaq për propozimin e emrit ai tha se Zaev i ka njoftuar me kornizën e Nimicit që është e njohur.

“Ministri Dimitrov dhe kryeministri Zaev na informuan lidhur me negociatat dhe u prezantua propozimi i Nimic, i cili është pak a shumë i njohur për publikun. Nga ky moment e më tutje i gjithë procesi për mbarëvajtjen e negociatave për çështjen e emrit me Greqinë është i Qeverisë. VMRO-DPMNE është përkrahës i fortë dhe qëndron në pozitën që Maqedonia duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe VMRO-DPMNE qëndron në mbrojtjen e interesave nacionale dhe shtetërore të Maqedonisë”, tha kryetari i VMRO-së, Hristian Mickoski pas takimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button