DR: Kërkojmë paanshmëri dhe profesionalizëm nga autoritetet qeveritare
Këshilli drejtues i DR-së në mbledhjen urgjente të mbajtur sot diskutoi për gjendjen e krijuar në Maqedoni pas arrestimeve të 1 majit dhe theksoi nevojën e transparencës sa më të plotë, si dhe largimin e çdo paragjykimi rreth autorëve dhe motiveve të krimit në Smillkovcë, përderisa akoma nuk ekzistojnë fakte bindëse dhe të pamohueshme.
“Duke mos dashur që të ndikojmë, e aq më pak të pengojmë procesin e zbardhjes së krimit në fshatin Smillkovcë, DR edhe një herë kërkon nga autoritetet qeveritare si dhe nga organet gjyqësore angazhimin maksimal dhe punën me përkushtim, paanshmëri dhe profesionalizëm pa rënë nën ndikimin e interesave të çastit dhe mbi të gjitha, pa përkeqësuar edhe më shumë raportet edhe ashtu të tensionuara ndëretnike”, shprehen nga DR-ja.
“Nuk është hera e parë që qeveria e maqedonisë të kërkojë të tërheqë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar për gjoja rrezikimin e Maqedonisë nga elementet radikale islamike – rasti i vreshtave të Rashtakut. Arrestimet e 1 majit dhe etiketimi i nxituar i personave të arrestuar si radikalë islamistë nga radhët e qytetarëve shqiptarë edhe atë vetëm disa ditë para mbajtjes së Samitit të Çikagos shtojnë shumë dyshimet për përpjekjet e sinqerta të kësaj qeverie për zbardhjen e të vërtetës”, thuhet në deklaratë.
Nga Demokracia e Re këshillojnë se Qeveria e Maqedonisë duhet të kuptojë se pa fakte bindëse dhe përmes proceseve me plot mangësi dhe momente dyshimi do e ketë të pamundur të bind faktorët ndërkombëtar për gjoja rrezikimin e Maqedonisë nga ekstremistët islam në radhët e popullit shqiptar./portalb