Afganistani në objektiv të terroristëve

Gjatë kohëve të fundit shihet një rritje serioze në sulmet terroriste në Afganistan. Gjatë muajit të fundit, si pasojë e sulmeve të talebanëve dhe DEASH-it, 282 persona, shumica prej tyre civilë, kanë humbur jetën ndërsa më shumë se 500 të tjerë janë plagosur, shkruan Anadolu Agency (AA).

Në Afganistan ku gjatë 40 viteve të fundit vazhdon lufta e brendshme dhe incidentet e terrorizmit, muajin e fundit është vërejtur një rritje në sulmet terroriste. Në objektiv të sulmeve më së shumti u mor kryeqyteti i Afganistanit, Kabuli.

Në 22 sulme terroriste të kryera nga talebanët dhe DEASH-i, gjatë muajit të fundit kanë humbur jetën 282 persona, shumica prej tyre civilë, kurse 500 të tjerë janë plagosur.

Sulmi i parë i madh gjatë muajit të fundit në këtë shtet, kur po luftohet edhe kundër talebanëve edhe kundër DEASH-it, ndodhi më 28 dhjetor të vitit 2017. Në sulmin e kryer ndaj një qendre kulturore në Kabul humbën jetën 41 persona, kurse 80 të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë e sulmit e mori organizata terroriste DEASH.

Pak kohë pas këtij sulmi, më 4 janar përsëri në Kabul ndodhi një sulm vetëvrasës, ku në objektiv u mor policia. Si pasojë e sulmit humbën jetën 13 policë.

Ndërsa një sulm tjetër, i cili tregoi se problemi i sigurisë në vend ka arritur në nivele serioze, ndodhi më 20 janar përsëri në Kabul, në hotelin “Intercontinental”, i cili njihet si një nga hotelet më të sigurta në shtet. Përleshjet mes 5 militantëve talebanë të cilët hynë brenda hotelit dhe forcave të sigurisë zgjatën më shumë se 12 orë. Si pasojë e sulmit humbën jetën 22 persona, 14 prej tyre të huaj.

Një ditë pas këtij sulmi, në dy sulme të ndara në provincat Balh dhe Herat humbën jetën 29 persona, 17 prej tyre policë dhe 12 civilë.

Një nga sulmet më të përgjakshme

Kabuli të shtunën e kaluar u bë skenë e njërit nga sulmet më të përgjakshme terroriste në vend.

Në sulmin vetëvrasës me një autoambulancë afër ish-ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Afganistanit, 103 persona humbën jetën kurse më shumë se 250 të tjerë u plagosën. Për shkak të dendësisë së madhe të sulmit ende nuk është arritur të bëhet identifikimi i identitetit të shumicës së viktimave.

Përgjegjësinë për sulmin në hotel dhe ish-ministrinë e Punëve të Brendshme e morën talebanët.

Kurse sulmi i fundit në Afganistan është kryer sot në mëngjes, në një bazë ushtarake në perëndim të Kabulit. Përgjegjësinë për sulmin e mori organizata terroriste DEASH, ku humbën jetën 11 ushtarë afganë ndërsa 10 të tjerë u plagosën.

Janë mbushur spitalet

Për shkak të rritjes së sulmeve terroriste, nuk ka vende nëpër spitale. Shumica e të plagosurve nga sulmi me autoambulancë në Kabul, për shkak të mungesës së vendeve në spital, u trajtuan në oborrin e spitalit Emergency.

Qeveria objektiv i kritikave për shkak të rritjes së numrit të sulmeve

Në anën tjetër mosarritja e ofrimit të sigurisë në Kabul nga qeveria qendrore, me vete solli edhe diskutime të shumta.

Në shënjestër të kritikave është sidomos ministri i Punëve të Brendshme të Afganistanit, Vejis Barmak dhe shefi i inteligjencës afgane Muhammed Masum Stanikzaji, nga të cilët kërkohet që të japin dorëheqje.

Në konferencën për media të mbajtur dje Stanikzaji tha se “Nëse dorëheqja jonë do të zgjidh problemin atëherë jam i gatshëm të largohem nga detyra. Por, kjo nuk do të zgjidh problemin e sigurisë në Afganistan”.

Në objektiv të sulmeve është Kabuli

Çdo ditë qindra afganë largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të problemeve të sigurisë dhe po emigrojnë në Kabul, të cilin e shohin si një “portë të sigurtë”.

Gjatë viteve të fundit, me një rritje të madhe, popullsia e qytetit ka arritur në më shumë se 5 milionë banorë. Por, sulmet terroriste tani më kanë nxjerrë edhe Kabulin nga të qënit vend i sigurtë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Afganistanit, muajin e fundit 5 nga 22 incidenteve të terrorizmit kanë ndodhur në Kabul. Në 5 sulme të ndara që ndodhën gjatë këtij muaji në Kabul kanë humbur jetën 149 persona, shumica prej tyre civilë, kurse më shumë se 300 të tjerë janë plagosur. Përgjegjësinë për katër sulmet e fundit në Kabul e morën talebanët ndërsa njërin DEASH-i.

Talebanët dhe DEASH-i iu drejtuan “objektivave të lehta”

Shihet se në sulmet terroriste në Afganistan ka disa ndryshime në metoda dhe zgjedhjen e objektivave, ku vërehet një rritje në sulmet ndaj civilëve. Edhe talebanët por edhe DEASH-i në vend të rajoneve ushtarake, sulmojnë “objektivat e lehta” ku ndodhen civilët.

Ekspertët thonë se përqendrimi i dy organizatave në “objektiva të lehta” ku kanë shanse të mëdha për të arritur në rezultat, përpiqen që të japin mesazhin se “jemi të fortë”.

Dy sulmet e fundit në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, e vërtetojnë këtë tezë. Në këtë pikë, shihet se një pjesë e madhe e atyre që humbën jetën në sulmet në hotelin Intercontinental dhe në afërsi të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë civilë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, 4 nga 22 persona që humbën jetën si pasojë e sulmit në hotel, janë punonjës të sigurisë dhe se të tjerët janë klientë të hotelit. Pothuajse të gjithë ata të cilët kanë humbur jetën në sulmin në ish-Ministrinë e Punëve të Brendshme janë civilë.

Fotografitë lidhur me sulmin, si në rrjete sociale ashtu edhe në media e mbështesin këtë informatë.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan çdo vit shënohet rritje në vdekjen e civilëve. Sipas këtij raporti në periudhën janar-shtator të vitit 2017 si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën 2.640 civilë kurse 5.379 të tjerë janë plagosur. Në raport thuhet se afro 80 për qind e humbjes së jetës së civilëve po ndodh si pasojë e sulmeve të talebanëve dhe të DEASH-it.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button