Gëzuar midis kaosit perfekt!

Ajo: “Dëgjo, e di që e teprova mbrëmë, mirëpo duhet të më kuptosh!”
Ai: “Të kuptoj, mirëpo në momente të tilla, të lutem gjej diçka të bësh për veten!”
Ajo: “OK” (edhepse kjo një OK me keeeeeeej pak të stërzgjatur, sa për të fituar kohë, për replikën e rradhës), “mirëpo, kur televizori buqet me komentatorin e ndeshjes, kur fëmijët zihen për bonbonen e fundit Haribo, dhe unë përpiqem të flas me ty, atë smund t’a duroj fare!” dhe vazhdon më tutje:
“Prandaj, ti lojën shikoje jashtë shtëpisë, fëmijëve t’u blejmë stoqe bonbonesh Haribo dhe ne flasim kur fëmijët të bijnë në gjumë!”
Ai: “OK u kuptua!”

*
Në vitet kur ishim çift pa fëmijë, refuzimi më i tmerrshëm për takim ishte pikërsisht linja “Po dal më kqyr lojën me shokë”, ndërkaq sot një linjë e tillë do të ishte shpëtuese e jetës. Atëherë, pse burrat e martuar, njëjtë edhe gratë, ndryshojnë drastikisht mënyrat e jetës, e paralelisht edhe interesimet dhe dëshirat? Këtu pastaj lind konflikti, në rradhë të parë me vetveten, saqë të bëjnë t’ja fusësh vetes një flakareshë fytyrës, sa herë rrit zërin kur fëmijët kërkojnë një gotë ujë nga ti.

Kështu në një mbrëmje,e dërrmuar nga puna ditore, po fusja enët në pjatalarëse dhe normalisht që nuk po cicërroja si Borëbardha kur bënte punët e shtëpisë bashkë me kafshët e pyllit. Në fakt, ofshaja, herë herë edhe me qëllim sa për t’ju dhembsur të paktën dikujt, cilitdo. Ndërkohë, fëmijët ziheshin me Ardin për digitron se cili do shtyp i pari 10-shin e cili atë numrin tjetër me kanalet e futbollit.  Ardi donte  të shihte ndeshjen midis Barcellonës dhe Chelseas, si të ishte kjo ndeshja e fundit në historinë e futbollit, dhe duhej me vëmendje të përcillej çdo pështymë e Messit, ose cdo e fryrë e filikaqes të s’e di se cilit refer. Në të njëjtën kohë, vetëm sa për të acaruar edhe më shumë situatën, mua më zuri migrena, me sulmin e parë në mejdan të ballit.

Midis gërryerjes së tenxheres, nga përpjekjet e dështuara për të pjekur mishin, të cilin e kisha nisur qysh në orën 7 të mëngjesit, e kritikuar për kundërmimin e fortë të qepës në orët e hershme të agimit, po përpiqesha të injoroja gjithë atë zhurmë që bëhej në banesën tonë. U kryen punët e darkës, dhe u ula kinse për t’u bërë dost me burrin e për të përcjellur pjesëza të ndeshjes, me interesim të rrejshëm. Kohë pas kohe, fëmijët vazhdonin të ziheshin për gjëra të kota. Vetëm në këto momente më bëhej e qartë, se pse mamaja ime fluturonte ashtu si dragua nga kuzhina për të na ndarë vëllaun dhe mua kur ziheshim për gjëra palidhje sa ishim fëmijë. Tani i njëjti dragua zgjohej në mua, dhe betohem, se të njëjtat emocione që të bëjnë nënë të përkushtuar janë po ato që të shëndrrojnë në diçka tjetër, ose “antazmë”, siq e quan Mali fantazmën.

Tashmë migrena më kishte kapluar njërën pjesë të kokës. Ndeshja vazhdonte dhe intensifikohej. Ardi nuk më dëgjonte, normalisht. Seksapil kishte tashmë vetëm komentatorin. Fëmijët të zënë në mes, dhe njëjtë, të etur për vëmendje lëshonin zëra nga më të ndryshmet, duke imituar kafshë që nuk dija se ekzistonin. Akrepat e orës kurrsesi se mbërrinin 9-shin. Madje pak nga migrena e pak nga nervoza, më dukej sikur ora më bënte fytyra për inat se s’mbërrihej 9-shi. Dhe magjishëm, në fund akrepat shkuan aty ku duhej. Mora fëmijët me shpejtësi, dhëmbët e palarë, vetëm duart e sapunosura, dhe veshën pizhamet. Shpejtë e shpejtë, u gjetën në krevat. Mali patjetër me njërën cucëll në gojë, tjetrën shtrënguar fortë në dorën tjetër dhe shishen ndër qafë. Borës tash iu kishte kujtuar që sot nuk e kishte plotësuar dozën ditore të kalciumit, dhe kërkoi një gotë qumësht, vetëm për të pirë dy gllënjka dhe për të ma dorëzuar gotën, derisa unë prisja në këmbë si kamariere pa durim. Nejse… përkundër nervozeve, si rëndom, i përqafova i putha dhe i sigurova që i dua pa kufi më së shumti në botë. Pastaj nisën e u zunë se cilin e kisha putha të parin e cilin të dytin, me ç’rast më dështoi përpjekja për kërkim falje që kisha bërtitur më herët gjatë darkës. E përplasa derën e dhomës së tyre dhe hyra drejtë e në tualet. E në tualet ka privatësi, mendova me vete, se kisha nevojë fizike: të merrja frymë thellë sa për të çuar frymën në fund të barkut, e jo në majë të gjuhës ku kishte qenë në 4-5 orët e fundit. Në varësen e derës së tualetit qëndronte çanta e vogël e Borës me të cilën kishte luajtur kinse po shëtiste fëmijët në qytet. Ndërkaq kur hapa koshin e teshave të palara, mbi kapak qëndronte sirena me flokët e pa shpërlarë – Bora më kishte porositur se duhej shpërlarë flokët dhe tharë mirë e mirë me peshqir. Shenjat e magjishme që fëmijët të lejnë për të përkujtuar që edhe pse në gjumë, janë këtu vërdallë diku! Atëherë, dola nga tualeti, me sirenën në dorë, për ta kapur me varëset e drurit në ballkon, sa për ta tharë nga larja. Ndeshja kishte përfunduar. Ishte qetësi-  ilaç për veshët e mi. Fëmijët nuk ishin zgjuar. Ardi po lexonte. Televizorin e kisha të tërin për vete. U ula, e mbështjellur me batanije dhe në ethe, po më mungonin fëmijët.

Zura të mendoj për ato që thashë në fillim. Po që se do t’i kushtonim vetes  një pjesë të vogël të vëmendjes të cilën ua kushtojmë gjërave të tjera çdo ditë, atëherë sigurisht se do të bëheshim nëna më të mira. Rrjedhimisht edhe do të kishim shtëpi më të mira. Çdo ditë zgjohemi në mëngjes me qëllim për të arritur në kohë në punë dhe për të lërë gjërat e gatshme në shtëpi. Prandaj, edhe mishi i stërzier që e përmenda më sipër. Në punë, posa të rehatohemi, kapim telefonin dhe lajmërohemi në shtëpi sa për t’u siguruar që gjithçka është në rregull. Ndërkohë, na kujtohen tekste të palexuara 10 herë sipas këshillës së mësueses. Në bisedë e sipër, Selvija më thotë që Mali ka një të ënjtur në sy. Shumë shpejtë, urgjencën e dërgimit të një emaili e zë përshkrimi im shkronjë për shkronjë i Chroramphenicol-it që patjetër se duhet të jetë në dollapin me barërat e rëndomta që duhet të ketë shtëpia. Pastaj emaili dërgohet gabimisht. Pastaj pasojnë kërkim faljet dhe ndërrimet e destinacionit për email. Pastaj dita kalon shpejtë, dhe po aq shpejtë të kaplon lodhja. Në shtëpi arrin e dërrmuar, mirëpo e pavëmendshme sepse duhet shtruar tavolinën dhe duhet ulur për të darkuar si familje. Fëmijët zihen se kush i pari hëngri, ndërkaq që ti si nënë e mirë, duhet të sjellësh rend dhe rregull në tavolinë, dhe si nëpër filma të diskutoni për ditën që secili ka pasur. Tavolina më pas duhet rregulluar, dhe Bora duhet të bëjë detyrat. Mprehëset e lapsave humbin, numëratores i mungojnë të gjitha rruazat dhe Mali kërkon patjetër të puth vajzën në reklamën e pijes energjike në televizor. Ndeshja fillon edhe në kokën time. Prandaj, duke u përpjekur për të arritur një perfeksion inekzistent, e vetmja që një mama mund të krijojë në këto rrethana është një kaos perfekt.

Atëherë në kushtet e një amfiteatri shtëpiak, i mbaj vetes ligjërata për filozofinë. Në funksion të shpëtimit të qetësisë familjare dhe lulëzimit të dashurisë në gjirin familjar, burri dhe gruaja duhet të vazhdojnë të paktën me një sërë praktikash që i ka mbajtur të lumtur para martesës, qoftë kjo edhe individualisht. Në këto, domosdoshmërish hynë edhe përcjellja e ndeshjes me dosta, qoftë edhe në qebaptoren me të afërm ose në klubet sportive të kohës së fundit, të përcjella me sharje në funksion të shpirtit sportiv dhe me birrë të ftohët akull. Në raste të tilla, normalisht që mamaja nuk ka opsion të dal për një gotë verë me shoqe dhe të marrë nëpër gojë të rejat e fundit në qytet. Por, në shenjë kompromisi dhe maturie, mamaja do të duhet të kalojë minutat e pakta para gjumit jo duke insistuar që fëmijët të hanë, po thjeshtë, të ulet me ta pranë, të komentojë triller-ngjarjet te Skubi Du dhe të ndajë me ta bonbonet e fundit Haribo. Më pas, pa presion, të çoj fëmijët në dhomën e tyre për të bërë gjumë, ndërkaq, vetë të kurulldiset para televizorit për të parë reprizat e Sex and the City, të vitit 2000, e shoqëruar me një gotë verë. Ndërkaq në ditët e tjera kur nuk ka derbi futbolli, mamaja bashkë me mamatë e tjera, të dalin diku për këndellje dhe biseda, ama që nuk kanë të bëjnë me numrin e pampersave të përdorur dhe hundët e përqyrrura të fëmijëve.

Burri dhe gruaja duhet të vazhdojnë shoqërimin që i ka sjellë më afër në rend të parë. Me plotë vetëdije për kërkesat ditore të jetës në martesë, megjithatë, duhet bërë të pamundurën dhe asnjëherë kompromis në momentet e vetme si çift. Sa për të mos harruar – kinematë akoma shfaqin filma dhe kamarierët akoma shërbejnë verë të mirë në restorantet e qytetit.
Prandaj, është e pakuptimtë që koncepti i martesës të jetë “Të rehatohemi bashkë deri në fund të jetës” e jo “Të jetojmë të lumtur deri në fund të jetës”. Është njësoj e pakuptimtë që gratë në momentin që bëhen nëna, të akomodohen në rolin e “viktimës” për të gjithë, dhe të harrojnë vetveten në sallën e maternitetit. Duhet kuptuar, që roli jonë si gra sa vjen e plotësohet në momentin që bëhemi dhe nëna. Mirëpo, personaliteti unik duhet ruajtur dhe kultivuar. Duhet të vazhdojmë përpjekjet për të gjetur, ose ri-gjetur veten në kaosin e teshave të palara, në frigoriferin gjysmë të zbrazët dhe midis detyrash të pazgjidhura.

Dhe si Mali në një mëngjes që pas 3-4 teshtimave radhazi i kishte uruar vetes “Shnet Paq”, edhe në duhet gjetur sekonda të vogla për t’i thënë vetes “Gëzuar” se goxha punë të mirë jemi duke bërë!

  

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button