Ligji për gjuhët, Osmani komenton 35.000 amendamentet e VMRO-DPMNE-së

Zevendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot deklaroi se 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së për ligjin për përdorimin e gjuhëve, janë dëshmi se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj shqiptarëve dhe se ligji i gjuhëve do të miratohet në afatin e paraparë, me ose pa ato, raporton Portalb.mk.

“35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së janë për të ardhur keq. Kishte rast të tregonte se kjo parti ka ndryshuar qëndrim ndaj shqiptarëve, por amendamentet tregojnë se kjo parti po vazhdon me avazin e vjetër. Ligji i gjuhëve do të miratohet me ose pa amendamentet e ligjit të gjuhëve. Edhe dje u konsultova me kryeparlamemtarin Xhaferi dhe ai me tha se ligji i gjuhëve dhe të gjitha ligjet tjera evropiane do të miratohen në afatin e paraparë”, tha Osmani në takim joformal me gazetarët.

Osmani gjithashtu vlerësoi se 35 mijë amandamentet për ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk do të pengojnë punën e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve të rëndësishme për perspektivën evro-atlantike të Maqedonisë.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë sot do ta mbajë seancën e 32-të në të cilën në rend dite është ligji për përdorimin e gjuhëve në lexim të tretë, me të cilin avancohet përdorimi i gjuhës shqipe. Ligji paraprakisht u miratua në Kuvend, megjithatë pas vendosjes së vetos nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ligji është kthyer në Kuvend për rishqyrtim.

VMRO-DPMNE dorëzoi 35.000 amendamente të cilat, ashtu siç thonë nga partia, kanë për qëllim të harmonizimit të ligjit me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, dhe jo me bllokimin e punës në Kuvend.

Sipas procedurës, dorëzuesi i çdo amendamenti ka të drejtë nga 3 minuta ose për të gjithë amendamentet 105.000 minuta. Matematika optimiste mund të plotësohet nëse për një orë shqyrtohen 20 amendamente ose 240 në ditë.

http://portalb.mk/499757-ligji-i-gjuheve-ne-kuvend-vmro-dpmne-me-35-000-amendamente-do-te-mundohet-ta-bllokoje/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button