Shtefan Fyle- Përparim ka por ka ende punë për Maqedoninë

Maqedonia ka plotësuar obligimet e marra dy muaj më parë duke përgatitur planin aksionar me masat që do të ndërmerren në pesë kapitujt kyç të dialogut të lartë me BE-në, presim që edhe më tutje puna të vazhdohet me këtë ritëm për tu implementuar këto masa, deklaroi komisari për zgjerim  i BE-së Shtefan Fyle pas takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Komisioni ka përshëndetur miratimin e një Udhërrëfyesi apo plani aksionar nga ana e Qeverisë për të plotësuar pesë reformat kyçe. Udhërrëfyesi në vete ngërthen masa specifike, afate ,kornizë kohore dhe alokime të caktuara financiare. Është shumë e rëndësishme si do të implementohen këto masa. Në qershor do të shqyrtojmë sa janë implemetuar të njëjtat” tha Fyle.

Ai theksoi se Dialogu i lartë ka për qëllim që Maqedonia të arrij deri në cakun e dëshiruar dhe ky është fillimi i negociatave për anëtarësim. “ Duke plotësuar rekomandimet nga ky dialog i lartë së bashku do të arrijmë këtë qëllim” tha Fyle.

Mes konkluzioneve që kanë miratuar, Fyle me Gruevskin kanë biseduar edhe për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për bisedime qeveri-Shoqata e gazetarëve për dekriminalizimin e shpifjes.

“Qeveria duhet të bëjë më shumë përpjekje për të nisur dialogun mes gazetarëve dhe Qeverisë. Presim që deri më shtator të këtij viti Qeveria të dëshmojë përkushtimin për të reformuar kodin zgjedhor sipas rekomandimeve të ODIHR dhe GRECO. Qeveria ka bërë revizion të Marrëveshjes së Ohrit dhe me këtë angazhohet për përforcimin e marrëdhënieve ndër-etnike ” tha Fyle.

Kryeministri Gruevski tha se udhërrëfyesi  që u prezantua në Parlament përmban në vete masa konkrete dhe të mbështetura me mjete të buxhetit për rrugëtimin tonë drejt BE-së. 
“I bëra me dije komisarit se Qeveria ka vullnet të fortë për të përmbushur jo vetën pesë kërkesat e caktuara më herët nga BE-ja por në të gjitha kriteret e Kopenhagës. Me euro komisarin kemi folur edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohirt, nën hijen e vrasjes së pesëfishtë. Shoqëria multietnike e vendit dhe institucionet e sistemit gjatë këtyre dhjetë viteve të implementimit të MKO-së kanë treguar se kanë kapacitet të ballafaqohen me sfida nga më të ndryshmet ndërsa konteksti i euro-integrimeve është shumë i rëndësishëm për përparimin e vendit dhe eliminimit të çdo agjendë tjetër radikale” tha Gruevski.

Sa i përket ndikimit të zgjedhjeve parlamentare në Greqi, në çështjen e emrit, Gruevski tha se shpreson që Qeveria e re greke të tregojë vullnet për të zgjidhur kontestin e hapur.

Fyle dhe Gruevski do të takohen në shtator për të shqyrtuar arritjet konkrete të masave të caktuara në planin aksionar të qeverisë. Arritjet dhe ngecjet nga dialogu i tillë do të reflektohen dhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian që çdo vit në vjeshtë. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button