Zgjedhjet në Greqi, kryeson Demokracia e Re

Rezultatet e para të pjesshme zyrtare të zgjedhjeve në Greqi astu si Exit Poll-et tregojnë se deri tani 7 parti sigurojnë hyrjen ne Parlament. Ato nxjerrin në vend të parë partinë Demokracia e re, të pasuar nga SYRIZA, PASOK, Grekët e Pavarur, Partia Komuniste, Agimi i Artë, E majta demokratike, LAOS, Ekologët e gjelbër etj.

Tendenca e rezultateve të pjesshme zyrtare shkon paralel me ato të Exit Poll-eve, të cilat pikturojnë një peisazh politik të paqartë dhe krejt të ndryshëm nga deri sot, ku duket se mbështetja për dy partitë e mëdha tradicionale në skenën politike greke është tkurrur ndjeshëm, ndërsa hyjnë në parlament forca të reja politike.

Dy partitë e mëdha u ndëshkuan për situatën ku ndodhet Greqia sot si pasojë e krizës dhe masave financiare, ndërkohë që vlen të theksohet rritja e mbështetjes për forcat antiMemorandum si koalicioni i majtë SYRIZA (mbrojtese e te drejtave te emigranteve), hyrja ne Parlament me një mbështetje të madhe e ekstremistëve të djathtë me prirje neonaziste, të partisë Agimi i Artë, si dhe pjesëmarrja për herë të parë e mjaft partive të vogla, si Grekët e Pavarur, E Majta Demokratike. 

Deklarata e kreut të Demokracisë së Re Antonis Samaras: “Nuk do ta le Greqinë të paqeverisur. Iu bëj thirrje forcave me orientim proevropian se duhet një qeveri e shpëtimit kombëtar me 2 akse kryesore; qëndrimin e vendit në Euro dhe zbatimi i politikave të Memorandumit”.

Deklarata e Venizelos pas shpalljes së rezultateve të pjeshme dhe Exit Poll-eve: “Populli grek sot nuk dha një mandat të qartë për ndonjë forcë politike dhe me këto tregues është e vështirë të formohet një qeveri bashkëpunimi me forca pro-evropiane. Një qeveri koalicioni e sistemit dy-partiak nuk do të ketë legjitimitet. Një qeveri e unitetit kombëtar që përfshin të gjitha forcat, që shprehin besimin e tyre në orientimin europian, pavarësisht nga qëndrimi i tyre ndaj Memorandumit, duhet të studiohet si mundësi dhe ne do të marrim iniciativën në këtë drejtim”. 

Qeveria që do të dalë prej këtyre zgjedhjeve, do të marrë në duar fatet e vendit, i cili kërcënohet të dalë nga Euro e të hyjë sërish në rrugë pa krye, nëse nuk zbaton reformat e kërkuara nga huadhënësit, ndaj vëmendja menjëherë është përqëndruar te ky fakt; sa i natyrshëm do jetë koalicioni qeverisës e për rrjedhim sa i qëndrueshëm dhe sa i frytshëm do të rezultojë në zgjidhjen e problemeve të shumta që ka Greqia e zhytur në borxhe.

Gjatë ditës, kryeministri i qeverisë së përkohshme Lukas Papadhimos bëri një deklaratë optimiste. Ai shprehu besimin se javën e ardhshme Greqia do të ketë qeverinë e re. I pyetur nëse Greqia do të ketë një qeveri deri të hënën, Papadhimos tha: “Unë e besoj këtë”. 

Përmbledhje e rezultateve të Exit Poll-eve, realizuar sot nga kompanitë e sondazheve sugjeron këto rezultate: 

Demokracia e Re – 18.5% = 108 vende 
SYRIZA – 17% = 47 vende 
PASOK – 15.5% = 38 vende 
Grekët e Pavarur – 11% = 30 vende 
Partia Komuniste – 8.5% = 25 vende 
Agimi i Artë – 7% = 19 vende 
E majta demokratike – 5.5% = 17 vende 
LAOS – 3% 
Ekologët e gjelbër – 3% 
Rezultatet e Exit Poll nga kompania ALCO 

ALCO: Demokracia e re 17-20% 
ALCO: SYRIZA 15-18.5% 
ALCO: PASOK 14-17% 
ALCO: Greket e pavarur 10-12% 
ALCO: Partia Komuniste 7.5%-9.5% 
ALCO: Agimi i Artë 6-8% 
ALCO: E Majta demokratike 5-6.5% 
ALCO: LAOS 2.5-3.5% 
ALCO: Ekologët e gjelbër 2.5-3.5% 
Edhe kompania “Kapa research” nxjerr fituese Demokracine e re, ndersa barazon PASOK-un me SYRIZA-n. /BW/INA

 

Lajme të ngjashme

Back to top button