Ismail Kadare për Rugovën: E kritikova padrejtësisht. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq

Ismail Kadare kishte thënë se e ka kritikuar Ibrahim Rugovën gjatë kohës së luftës në Kosovë. Por, më vonë kishte pranuar se e drejta ishte në anën e liderit të shqiptarëve të Kosovës. Fjalët e Kadaresë i ka publikuar reja e Rugovës, Blerta Kllokoqi

Ajo ka uruar ditëlindjen shkrimtarit Ismail Kadare, duke e vlerësuar si njeri të çmuar e të respektuar.

“Shkëlqesia e tij, Zt. Ismail Kadare, është ndër të vetmit i cili i kërkoi falje Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova për kritikat që i kishte bërë në vitin 1999 ndaj tij, në takimin e përbashkët që kishin në Rezidencën e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova më 2004 në Kosovën e lirë”, ka shkruar Blerta Kollokoqi.

Pastaj ka publikuar pjesë të vlerësimeve të Kadaresë i cili ishte pajtuar me Rugovën pavarësisht kritikave që ia kishte bërë gjatë kohës së luftës.

“Në një pritje në Köln në vitin 2013, Ismail Kadare ndër të tjera theksoi: “Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq”, ka shtuar ajo.

Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006. Ka udhëhequr Kosovën dhe LDK’në prej viteve të 90’ta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button