Çfarë pret dhe çfarë do të gjej Fyle në Shkup?

Komisari evropian për zgjerim, që është padyshim politikani më i njohur evropian në vend, Shtefan Fyle vjen në Shkup për të inspektuar mbarëvajtjen e realizimit të çështjeve për të cilat Maqedonia është dakorduar me Komisionin.

Në vend të fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, që është pamundësuar nga Greqia, Komisioni evropian ka shpikur një mënyrë se si mund të përgatitet Maqedonia për në Evropë, edhe pa datë për fillimin e negociatave. Shpikja në Bruksel quhet Udhërrëfyes dhe ka 5 kapituj, në Maqedoni ai është plan aksional.  

Se si realizohet ky plan aksional apo ky udhërrëfyes, qëndrime të ndryshme kanë qeveria në njërën anë dhe opozita dhe analistët në anën tjetër.

Lidija Dimova nga Qendra për trajnim evropian thotë qeveria, jep premtime të fuqishme në Bruksel, ndërsa në fakt nuk bën asgjë. Shembuj se si manipulohet Brukseli ka shumë, ndërsa qëllimi është shumë i pakuptueshëm, qeveria sikur mendon se në Bruksel nuk kuptojnë asgjë, thotë për Portalb, Dimova.

‘Maqedonia nuk ka zbatuar asnjë kërkesë të Komisionit evropian. Fyle vjen në Maqedoni për të parë nëse qeveria e ka miratuar Planin akcional të cilin e Sekretariati për çështje evropiane e publikoi të premten. Neve edhe më tej i lyejmë sytë me akull Komisionit, qeveria mundohet që në njëfarë mënyre të manipulojë duke premtuar se do të ndërmerr hapa, por se i duhet kohë. Komisioni ka vërejtje për të drejtat  fundamentale, të drejtat e njeriut, lirinë e medias etj’, thotë Dimova.

‘Për shembull Plani aksional thotë se do të shpenzohen afro 11 milion euro për dekadën e romëve, ndërsa me rebalancin e buxhetit nuk parashihen mjete për dekadën e romëve. Qeveria aty paraqet se do të ndaj një shumë të madhe mjetesh për zhvillim rajonal, ndërkohë për një gjë të tillë nuk ka mjete të ndara buxhetore për këtë vit. Të gjitha afatet që i jep qeveria janë të vitit 2014, 2015 ndërsa euro komisarit Fyle i intereson se çfarë do të bëj qeveria deri në tetor të këtij viti, tha Dimova.  

Qeveria e Maqedonisë asnjëherë nuk i merr seriozisht mesazhet apo kritikat e BE-së, besoj se dhe kësaj radhe, ardhja e Fyles do të konceptohet si një rutinë e nevojshme, thotë për Portalb Enisa Bajrami nga Balkan Civil Society Development Network.

‘Përvec faktit që ansjë nga këto premtime nuk kanw pasur zhvillim, përmisim apo rritje, lirshëm mund të thuhet që të gjitha kan pësuar ulje dhe degradim të dukshëm, por janë shtuar dhe probleme tjera që Maqedonia si shtet nuk ka kapacitet ti tejkalojë.  Vizita e Fyles është më se e nevojshme në këtë situatë kaq delikate që Maqedonia ndodhet, dhe të gjithë ne jemi kurioz të dijmë se cfarë raporti do ti japin funksionarët e Maqedonis atij për ecjen e reformave të Maqedonisë drejt BE-së’, thotë Bajrami.

Qeveria para dy muajve vendosi para vetes 150 detyra që duhet t’i përmbush në disa etapa si investim në dialogun e nivelit të lartë që Brukseli ia ofroi Maqedonisë, se çfarë ka realizuar nga ajo Gruevski duhet ti shpjegojë sot komisarit Fyle. Ky në fakt është edhe qëllimi i vizitës së tij në Maqedoni. Të kontrollojë se a i ka bërë qeveria detyrat e shtëpisë.

Zëvendëskryeministrja për integrime, Teuta Arifi kohë më parë deklaroi se pjesa më e madhe e detyrave do të finalizohen deri në shtator.

‘Posedojmë proces kyç me BE-në dhe duhet ta shfrytëzojmë për përmirësimin e standardeve demokratike të shoqërisë dhe për marrëdhëniet me BE-në’, deklaroi Arifi.

Por qëndrime të kundërta dhe më pak optimistë janë opozita dhe Shoqata e gazetarëve. Opozita thotë se Maqedonia e pret Fylen me duar bosh. Sipas saj dëshmia më e mirë është buxheti ku me rebalanc mjetet për integrim në BE janë pakësuar për 11 për qind, ndërsa për zhvillimin rajonal në 59 për qind.

Shoqata e gazetarëve ‘shpalli’ të vdekur nismën për të arritur marrëveshje me qeverinë në heqjen e disa neneve që vështirësojnë punën e gazetarëve. Pas disa takimeve që dhanë shpresë, dhe fotove mes qeveritarëve dhe Shoqatës së gazetarëve, gjithçka mbaroi. Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani ngriti flamurin e bardhë, duke thënë se pas tentimeve 2 mujore për tu takuar me qeverinë, këto më nuk quhen negociata, ato sipas tij nuk ekzistojnë.

Udhërrëfyesi operativ për realizimin e qëllimeve të dhëna nga Brukseli, do të ndahen në tri etapa – atë të qershorit, shtatorit dhe dhjetorit.

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button