Thaçi: Ka ardhur koha për veriun

Ka ardhur koha që problemi i veriut të zgjidhet. Por, kjo zgjidhje, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, në asnjë formë nuk do të negociohet me Serbinë, por me qytetarët e veriut, me lehtësim nga Washingtoni dhe Brukseli. Për zgjidhjen e këtij problemi, Thaçi thotë se është i domosdoshëm konsensusi i gjerë politik në vend, pasi sipas tij, këtë problem askush s’ka mundur e as nuk do të mund ta zgjidhë i vetëm.

“Problemi i veriut i trashëguar për trembëdhjetë vite, duhet të zgjidhet më në fund, por jo në negociata me Serbinë. Ky problem që nuk ka mundur të zgjidhet nga asnjë qeveri e kaluar, duhet të zgjidhet tani, por me një konsensus të gjerë politik, pozitë dhe opozitë”, ka thënë kryeministri Thaçi në një intervistë për “Lajm”.

Sipas tij, për këtë çështje nuk do të bisedohet me Serbinë, por me qytetarët e asaj pjese dhe me lehtësim nga Uashingtoni dhe Brukseli. Bisedimet me Serbinë, sipas Thaçit, nuk do të vazhdojnë as për temat tjera, pa implementimin nga Serbia të marrëveshjeve të arritura.

Ai ka thënë se do t’i përmbahet marrëveshjes që ka nënshkruar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.

E, për ata që thonë se ai po bëhet gati të konkurrojë për president, Thaçi thotë se nuk ka ambicie për këtë post, ambicie të cilën thotë se po të donte mund ta realizonte dy apo tri herë vite më parë.

Thaçi gjithashtu duket të mos jetë i interesuar as për postin e kryeministrit në një mandat të tretë, pasi vlerëson se tri mandate radhazi si kryeministër janë tepër. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button